Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar në çështjen penale PKR.nr.71/2026, e cila ka të bëjë me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë (PP.I.nr.178/2024, e datës 12 shkurt 2026).
Sipas njoftimit të gjykatës, i pandehuri Endrit Llapashtica akuzohet se, në bashkëkryerje, ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, ndërsa Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci akuzohen se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Gjykata bëri të ditur se, sipas propozimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, gjykimi në këtë çështje do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, pasi ata kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.
“Për këtë arsye, përmes këtij njoftimi ju bëhet thirrje të pandehurve të lartcekur që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës. Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve, që t’i komunikojnë këto informacione Policisë së Kosovës apo organeve tjera kompetente”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Sipas njoftimit, seanca e shqyrtimit fillestar do të mbahet më 21 korrik 2026, në orën 09:00, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Pallati i Drejtësisë në Hajvali, Objekti D, salla nr. 27, dhe do të kryesohet nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku.
“Lidhur me këtë çështje penale, aktakuza dhe ftesat për seancë janë publikuar në ueb-faqen e gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare. Gjykata Themelore në Prishtinë do të vazhdojë të informojë opinionin publik për zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë çështje penale”, thuhet më tej në njoftim.
Ndryshe, në muajin prill kishte dështuar të mbahej një seancë gjyqësore në rastin që lidhet me grupet “Capat” dhe “Sekiraqa”, për shkak se ende nuk kishte përfunduar ekspertiza psikiatrike për të akuzuarin Valdrin Ademi. Rasti lidhet me përplasjen e armatosur për motive hakmarrjeje, në të cilën mbeti i vrarë P.G.
