Lajme

Gjykata Supreme pezullon procedurën e gradimit në Policinë e Kosovës – Detaje nga vendimi

Më 22 maj u nënshkrua Udhëzimi Administrativ për Gradim në Policinë e Kosovës.

Por, ende pa kaluar një muaj nga fillimi i këtij procesi, neni 7 bashkë me disa paragrafë të këtij Udhëzimi u pezulluan nga Gjykata Supreme dhe atij iu vu masë e sigurisë.

Në njoftim u tha se Gjykata arriti në përfundimin se ekziston rreziku real i shkaktimit të një dëmi të rëndë dhe të pakthyeshëm në rast të vazhdimit të zbatimit të dispozitave të kontestuara dhe procedurave të gradimit.

Më saktësisht, u pezulluan disa paragrafë ku përjashtoheshin afatet dhe kriteret e përcaktuara për gradat, që në këtë rast ishin për rreshter dhe toger.

Tëvë1 ka dërguar pyetje edhe në Policinë e Kosovës, për të parë se si do të vazhdohet ky lloj gradimi, por që nuk ka pranuar përgjigje gjatë ditës.

E një nga ish-drejtuesit e këtij institucioni, Reshat Maliqi po e sheh të mirëseardhur këtë veprim nga Supremja, pasi edhe ai vet pa paqartësi në këtë Udhëzim.

“Është e përcaktuar që në gradën e Rreshterit minimum në pozita uydhëheqëse menaxheriale t’i kalon dy vite dhe pas dy viteve t’i jipet mundësia që nëse ka proces të gradimit të togerit t;i nënshtorhet testit të togerit. Me këtë rast, janë tejkalu të gjitha këto dhe i është dhënë mundësia që pa kalu fazën e gradës së rreshterit përnjehrë me automatizëm të bëhen togerë me këtë rast është favorizim i disave dhe është shkelje e të drejtave të disa personave tjerë”, ka thënë Maliqi.

E ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, tash avokat, Jetullah Aliu, vlerëson se vendimi i Supremes është bazuar në parimet e meritokracisë dhe barazisë.

“Policia e Kosovës dhe në këtë rast zyrtarët e Policisë së Kosovës nuk duhet që ta marrin këtë si një çështje të përfunduar por këtu Gjykata Supreme ka vendosur vetëm sa i përket masës së përkohshme me qëllim që mos të krijohen pasoja të pa riparueshme sa i përket çështjes së gradimit të zyrtarëve policorë”, u shpreh Aliu.

Megjithatë, ai thotë se ka nevojë për gradime në Polici dhe se mund të merren për bazë shumë modalitete në shtete tjera.

“Kishte me qenë shumë më mirë që një zyrtar policor me arritjen e 10 viteve përvojë pa u future në procese gradimi, mirëpo automatikisht t’i njihet e drejta e një grade. Kështu e kanë edhe disa vende në rajon dhe Evropë prandaj mirë është me u marrë për bazë edhe praktika të ndryshme te të cilat fokusohet në këtë rast edhe Policia e Kosovës”, theksoj Aliu.

Ndryshe, më 26 qershor ishte paraparë të mbahet testi i parë për 157 pozita të lira për gradën toger, e më pas të vazhdohet për atë të rreshterit.

 

 

 

Të Ngjashme