Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar për 28 shtator seancën e shqyrtimit fillestar në mungesë ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte kundër popullsisë civile. Njëkohësisht, gjykata u ka bërë thirrje të akuzuarve që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit të gjykatës, seanca do të mbahet në Departamentin Special, më 28 shtator 2026, duke filluar nga ora 09:30. Çështja do të shqyrtohet nën kryesimin e gjyqtares Medie Bytyqi, në sallën numër 16, në objektin D të Pallatit të Drejtësisë në Hajvali.
Aktakuza në këtë rast është ngritur nga Prokuroria Speciale më 15 gusht 2025. Sipas gjykatës, zhvillimi i gjykimit në mungesë është propozuar nga Prokuroria Speciale, pasi të pandehurit kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.
Në këtë çështje akuzohen: Zlatomir Peshiq, Mlladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavleviq, Bogoljub Janiçeviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Kërsman Jeliq, Lubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Milos Gjoshan, Lubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq dhe Milovan Kovaçeviq.
Ata akuzohen për veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile”, sipas nenit 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.
Përveç thirrjes për dorëzim, gjykata ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për sigurimin e informacioneve mbi vendndodhjen e të akuzuarve. Të gjithë personat që posedojnë informacione relevante janë ftuar t’ia përcjellin ato Policisë së Kosovës apo organeve të tjera kompetente.
Gjykata ka njoftuar se aktakuza dhe ftesat për seancë janë publikuar në faqen e saj zyrtare dhe në Gazetën Zyrtare.
