Lajme

Gjykimi për vrasjen e Muhamet Likës – një natë para vrasjes, i dyshuari Rejhan Bela i iku policisë

Zyrtari policor Adriatik Vishi ka dhënë një dëshmi të rëndësishme, në rastin e vrasjes së kolegut të tij, rreshterit Muhamet Lika.

Vishi që e kishte mbikëqyrës të ndjerin Lika, tregoi se vetëm një natë para vrasjes, bashkë me një polic tjetër, e ndalën për kontroll një veturë, të cilën po e drejtonte Rejhan Bela, tash i dyshuari kryesor për vrasjen e Likës.

Sipas Vishit, Bela po e drejtonte automjetin pa patentë shofer, dhe atë natë u iku nga kontrolli policëve.

“Gjatë kohës së shqiptimit të tiketës duke marrë të dhënat e tij polici tjetër që ka qenë jashtë veturës, Adhurim Tafili e kam dëgju duke thënë: o Tik, o Tik, ka bërtitë me të madhe, për një moment kam shiqu se çka është në pyetje po matanë zebrave në rrugë e kam parë një person në shpinë duke ikë duke vrapu, shumë shpejt polici ka hy në veturë dhe ka thënë a e ke listën e urdhëresave për fat e kemi pas në veturë dhe shumë shpejt e ka vërejt se emri i qatij person që ka ikë ka qenë në listë te urdhëresave është fjala për personin Rejhan Bela”, ka treguar ngjarjen zyrtari  policor.

Atë natë, Vishi dëshmoi se nuk arritën ta zinin Rejhan Belën. Por, morën në posedim telefonin e tij, të cilin e dorëzuan në stacionin politor.

“Fillimisht sa ishim duke përpilu raportin, telefoni ka kërsit disa herë nuk e kemi hapë disa herë por një herë e ka hap Muhamet Lika, fjalët saktësisht nuk i dij por e di i ka thënë hajde merre duhesh me ardhë me marr vet në stacion e kam dëgju. Pas afërsisht 5 minutash në stacion policor ka ardhë baba i Rejhan Belës, Sulltan Bela dhe ka kërku telefonin nga unë.  Rreshteri i ka thënë unë i thashë duhet me ardhë djali vet me marr. Personi Sulltan Bela ka tentu disa herë t’i hyjë në hatër dhe t’ia jep telefonin, mirëpo rreshteri përfundimisht nuk ia ka dhënë dhe i tha thuj djalit let vjen vet me marrë. Në fund me pakënaqësi u largu prindi i Belës”, u shpreh ai.

Vishi u përballë edhe me pyetje nga i akuzuari, Haki Bela dhe avokati i tij.

“Në deklaratën e dhënë më 02.04.2025 një ditë pas ngjarjes a nuk iu kanë pyet a sjeni kujtu pse nuk i keni paraqit rrethanat që i paraqitët sot?, ishte pyetja e Urim Bajraktarit, avokat i Haki Belës.

“Atë ditë nuk ka pasë të dyshuar e gjithë pjesa tjetër ka qenë e zakonshme” u përgjigj  zyrtari policor, Adriatik Vishi.

“A ka qenë edhe Muhameti atë ditë në veturë kur ka ikë i dyshuari?”, ishte pyetja e Haki Belës, i akuzuar.

“Jo nuk ka qenë, ka qenë në bazë”, tha polici Vishi.

Para trupit gjykues dha dëshmi edhe polici tjetër, Pajazit Elezi i cili ishte i afërt me Likën.

Pajaziti tha se ditën kritike nuk pa diçka shqetësuese tek Lika.

Ai u pyet edhe për aktivitetin e Likës jashtë Policisë, ku konfirmoi se Lika kishte një lokal në fshatin Strazhë.

“Pas vitit 2020 i ndjeri përveç punës si polic a është marrë me aktivitet tjetër” , pyeti avokati i të akuzuarit

“Po e ka pasë një lokal.Pije, akullore më shumë edhe kafe”, tha polici Elezi

“A ka ndodhë diçka e pazakontë me atë lokal?, ishte pyetja tjetër e avokatit Bajraktari.

“E di që vitin muj me gabu është tentu me u dhez djegë diçka e tillë pjesërisht”, u përgjigj polici Elezi.

Avokati i të akuzuarit kishte edhe një pyetje. “A ka pas dyshime në dikënd?”

“Jo s’më ka tregu”, u përgjigj zyrtari policor.

Në seancë dëshmoi edhe Xhelal Çaka, i cili natën kritike kaloi kah vendi ku ndodhi vrasja.

Çaka tregoi se atij dhe dëshmitarit tjetër Kushtrim Ballazhi, iu bashkua edhe i dyshuari kryesor Rejhan Bela.

Sjelljet e Belës atë natë, Çaka i përshkruan si të zakonshme.

“Jo s’kam vërejtë, si gjithmonë ka qenë hajgarexhi”, tha Çaka.

“Po flas për atë natën kur ka ndodhë vrasja?”, pyeti avokati i të akuzuarit.

“Jo s’kemi vërejtë asgjë, ka qenë i zakonshëm”, tha polici Çaka.

Seancat e radhës në këtë rast janë caktuar për muajin tetor, ku do të dëgjohen edhe katër dëshmitarë.

Të Ngjashme