Lajme

NATO në trevjetorin e Banjskës: Përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi

Në përvjetorin e tretë të sulmit në Banjskë, NATO ka përsëritur kërkesën që përgjegjësit për dhunën e ushtruar në Kosovë gjatë vitit 2023 të mbajnë përgjegjësi, ndërsa ka theksuar se këtë qëndrim ua ka bërë të qartë përfaqësuesve të Serbisë në të gjitha nivelet.

Në një përgjigje për media, një zyrtar i NATO-s ka deklaruar se sulmet ndaj pjesëtarëve paqeruajtës të KFOR-it dhe dhuna e mëtejshme e ushtruar në Kosovë gjatë vitit 2023 janë të papranueshme.

“Ne ua kemi bërë shumë të qartë homologëve tanë serbë – në të gjitha nivelet – se sulmet e kryera ndaj pjesëtarëve paqeruajtës të KFOR-it, si dhe dhuna e mëtejshme e ushtruar në Kosovë gjatë vitit 2023, janë të papranueshme. Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi”, ka thënë zyrtari i NATO-s.

Ai ka theksuar se Serbia është e rëndësishme për stabilitetin rajonal dhe se NATO pret angazhim konstruktiv nga Beogradi.

“Serbia është e rëndësishme për stabilitetin rajonal dhe ne presim që partneriteti ynë të jetë i ndërsjellë. Presim që Serbia të angazhohet në mënyrë konstruktive me NATO-n dhe fqinjët e saj. Në këtë drejtim, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s vazhdon të jetë në kontakt me presidentin Vuçiq”, ka deklaruar zyrtari i aleancës.

NATO ka folur edhe për praninë dhe gatishmërinë e KFOR-it për t’iu përgjigjur zhvillimeve të sigurisë në Kosovë.

“KFOR-i është i pozicionuar mirë për t’u përballur me çdo zhvillim të sigurisë, përfshirë përmes pranisë së shtuar në veri të Kosovës, patrullimeve, pikave të vëzhgimit dhe angazhimeve me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve”, ka thënë zyrtari.

Sipas tij, KFOR-i mbetet i fokusuar në zbatimin e mandatit të tij.

“Ai është plotësisht i fokusuar në zbatimin e mandatit të tij shumëvjeçar të OKB-së, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”, ka deklaruar zyrtari i NATO-s.

Ndërkohë, edhe Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjen që autorët e sulmit në Banjskë të përballen me drejtësinë, ndërsa ka shprehur keqardhjen që Serbia ende nuk ka ndërmarrë hapa për ndjekjen penale të personave që ndodhen në territorin e saj.

“Ne presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanalit të vendosur për ndihmën e ndërsjellë juridike. Kjo çështje është pezull prej një kohe të gjatë dhe Serbia duhet ta trajtojë atë pa vonesë”, ka thënë një zëdhënës i BE-së.

Zëdhënësi ka konfirmuar se shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, e ka ngritur këtë çështje gjatë takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Të Ngjashme