Një vjedhje e rëndë është raportuar mëngjesin e së enjtes në zonën e Leshakut, ku persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë depërtuar në një shtëpi dhe kanë marrë mijëra euro para të gatshme, dinarë serbë dhe stoli ari, mëson Sinjali.
Rasti është raportuar më 20 gusht, rreth orës 08:00, nga pronari i shtëpisë në fshatin Borovo të Leshakut, pasi kishte konstatuar se prona e tij ishte thyer.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, dera kryesore e shtëpisë ishte gjetur e mbyllur me çelës, por dera dhe dritarja e depos ishin dëmtuar. Pikërisht nga kjo pjesë dyshohet se autorët kanë arritur të depërtojnë brenda.
Por ajo që e bën rastin të pazakontë është edhe vendi ku mbaheshin një pjesë e parave.
Pronari ka deklaruar se i mungojnë rreth 12 mijë euro në kartëmonedha të prerjeve 500, 200 dhe 50 euro, të cilat, sipas tij, i kishte mbajtur brenda një fletoreje.
Autorët dyshohet se kanë arritur edhe te një arkë metalike, prej së cilës raportohet se janë marrë 40 mijë dinarë serbë dhe 230 euro të tjera.
Nga shtëpia janë zhdukur gjithashtu dy zinxhirë ari, vlera e të cilëve ende nuk është përcaktuar nga pronari.
Në vendngjarje kanë dalë njësitet policore dhe hetuesit, të cilët kanë kryer ekzaminimet dhe kanë nisur veprimet për identifikimin e personave të dyshuar.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, me udhëzim të të cilit është iniciuar procedura për “Vjedhje të rëndë”.
Deri në këtë fazë nuk raportohet për persona të identifikuar apo të arrestuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime.
