Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, ka mbajtur sot një fjalë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të BE-së, e cila po mbahet në Kopenhagë, në kuadër të panelit “Qëndrueshmëria demokratike në kohë ndryshimesh”, me fokus në dezinformimin, ndryshimet teknologjike dhe rënien e besimit në institucione.
Sipas njoftimit, Gola ka thënë se rezilienca demokratike sot nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen, por edhe me besueshmërinë, ndërsa “besueshmëria fillon me besimin”.
Në këtë drejtim, ai ka përmendur filozofin Jürgen Habermas, duke theksuar se legjitimiteti demokratik nuk mbështetet vetëm te institucionet, por edhe te cilësia e arsyetimit publik që i mbështet ato.
Sipas tij, ideja e demokracisë deliberative thekson se besimi ndërtohet përmes dialogut të hapur, racional dhe gjithëpërfshirës në sferën publike.
“Për ne si udhëheqës parlamentarë, kjo do të thotë se rezilienca nuk lidhet vetëm me mbrojtjen e strukturave demokratike, por edhe me kultivimin e një kulture politike ku argumentet mbizotërojnë mbi manipulimin dhe ku qytetarët e gjejnë veten në vendimet e marra në emër të tyre”, është shprehur Gola.
Ai ka shtuar se vendet e rajonit përballen me sfida të përbashkëta si dezinformimi, zhvillimet teknologjike dhe rënia e besimit në institucionet publike, të cilat, sipas tij, ndikojnë drejtpërdrejt në legjitimitetin e demokracisë përfaqësuese.
Për Republiken e Kosovës, ka theksuar Gola, rezilienca demokratike është e lidhur ngushtë me rrugën evropiane të vendit.
Ai ka thënë se Kosova ka bërë përparim në forcimin e proceseve zgjedhore dhe të drejtave themelore, ndërsa vazhdon puna në përmirësimin e gjyqësorit, medias dhe administratës publike. “Reforma nuk është formalitet, por transformim”, u shpreh ai.
Duke cituar filozofin danez Søren Kierkegaard, Gola ka nënvizuar se e ardhmja e shoqërisë varet nga mënyra se si zgjidhet të ecet përpara dhe se rezilienca demokratike është edhe çështje zgjedhjeje dhe përkushtimi ndaj parimeve, edhe kur kjo është e vështirë.
