Lajme

Grabitja në zonën e Sharrës/ Arrestohen 3 persona, sekuestrohen armë dhe 82 fishekë, shpallet në kërkim një tjetër

Një grup prej katër personash dyshohet se qëndron pas vjedhjes së një banese në zonën e Sharrës, ku rreth 10 ditë më parë u grabitën 2.5 milionë lekë dhe bizhuteri me vlerë rreth 500 mijë lekë.

Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Last Scheme”, duke vënë në pranga tre prej të dyshuarve, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Gjatë kontrolleve, efektivët sekuestruan një armë zjarri, 82 fishekë, automjete, targa dhe para të dyshuara me burime kriminale.

Njoftimi:

Zbardhet vjedhja në një banesë në Sharrë, ku para 10 ditësh u morën 2 500 000 lekë dhe bizhuteri me vlerë rreth 500 000 lekë.

Identifikohen 4 shtetasit, të cilët të organizuar si grup, dyshohet se kryen krimin. Kapen dhe vihen në pranga 3 prej tyre.

2 prej autorëve fshihnin në servisin për mjete, që kishin në bashkëpronësi në Astir, 1 armë zjarri dhe 3 krehra me 82 fishekë.

Sekuestrohen arma e zjarrit, municioni dhe 2 palë targa, si dhe 4 mjete dhe 55 000 lekë, me burime të dyshuara kriminale.

Si rezultat i hetimit intensiv të kryer nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në koordinim me Prokurorinë, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të vjedhjes në banesën e shtetasit D. S., më datë 14.08.2026, u finalizua operacioni i koduar “Last Scheme”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga 3 nga autorët e dyshuar të rastit, konkretisht shtetasit L. S., 26 vjeç, K. T., 23 vjeç dhe M. H., 37 vjeç, si dhe u shpall në kërkim autori tjetër i dyshuar, shtetasi A. B.

Në vijim të veprimeve operacionale u krye kontroll në servisin për mjete, në bashkëpronësi të shtetasve A. B. dhe M. H., ku u gjetën 1 armë zjarri, 3 krehra, 82 fishekë luftarak, 2 automjete, 1 motomjet dhe 2 palë targa automjetesh.

Më tej u krye kontroll në banesën e shtetasit K. T., nga ku u sekuestruan 1 automjet dhe 55 000 lekë.

Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe vijon hetimi për dokumentimin e plotë të këtij rasti kriminal.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Të Ngjashme