Një lokal në Nea Ionia të Athinës është shkrumbuar nga flakët në orët e para të mëngjesit. Zjarri në kafenenë në rrugën Kastamonis mori përmasa dhe u përhap në tre katet mbi të.
Bëhet fjalë për të njëjtin objekt ku në shkurt 2023 është shënuar një sulm i përgjakshëm me armë zjarri ku mbeti i vrarë 39-vjeçari shqiptar Pëllumb Islami.
Për momentin, nuk dihet nëse ngjarja ka lidhje me Islamin. Forcat zjarrfikëse po hetojnë nëse shpërthimi ishte shkaktuar nga një bombol gazi apo nga zjarrvënia e qëllimshme.
Sipas versionit të policisë për vrasjen e Islamit, 39-vjeçari, me profesion hidraulik, ndodhej në lokal duke parë një ndeshje futbolli kur nisi përplasja me armë zjarri.
Nga kamerat filmike rezultoi se ditën e ngjarjes Pëllumb Islami shoqërohej nga një person i armatosur. Ngjarja mori tjetër rrjedhë edhe për faktin se Islami nuk ishte objektivi por shoku i tij në tavolinë, i cili nisi sherrin me shqiptarët e tjerë.
Shoqëruesi i viktimës kishte një armë me vete dhe hyri i pari në lokal. Më pas mbërritën edhe gjashtë persona të tjerë dhe shpërtheu një sherri mes tyre. Teksa një prej bandave qëlloi shoqëruesin e viktimës, që ishte objektivi, por plumbi kapi Pëllumb Islamin.
Gjatë saj u përdorën një revolver dhe një pistoletë. Lidhur me vrasjen, policia greke lëshoi 7 urdhërarreste, prej të cilave u ekzekutuan 2.
