Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar lidhur me situatën në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se shkelja e Kushtetutës dhe pengimi i funksionimit të institucioneve paraqet rrezik për të drejtat e qytetarëve.
Në një prononcim për media, Gruda ka deklaruar se nëse sot Kushtetuta shkelet për një procedurë apo afat, nesër, sipas tij, mund të cenohen edhe të drejtat elementare të qytetarëve.
“Qytetarët e Kosovës duhet ta dinë që nëse sot Kushtetuta shkelet për një afat, për një procedurë, nesër ky pushtet autoritar do të trokasë në derën e çdo qytetari të Kosovës, për t’i shkelur të drejtat elementare, për ta shkatërruar biznesin, për t’i nxjerrë prej punës. Dhe ky pushtet autoritar nuk ndalet ndryshe përveç se këtu, në vendin ku ne jemi zgjedhur të punojmë si deputetë të Kosovës. Një parti opozitare si ne deklarohet që do të qëndrojë në opozitë dhe i thotë Vetëvendosjes: formoni institucionet. Nuk mjafton kjo. Thonë: ju nuk do të jeni as opozitë. Se ditën kur e mbyll Kuvendin, ti e mohon opozitën, ekzistencën e opozitës, e ky është një kufi që ne nuk e lejojmë me kaluar. Ne nuk nënshtrohemi. Kosova është marrë peng, institucionet janë marrë peng. Kjo është fatkeqësi e madhe ndaj së cilës duhet të përgjigjemi të gjithë bashkë”, ka deklaruar Gruda.
