Legjendat e muzikës angleze The Beatles do të kenë muzeun e tyre në Londër, i cili duhet të hapë dyert për fansat në vitin 2027 në ndërtesën në 3 Savile Row, në çatinë e së cilës grupi mbajti koncertin e tyre të fundit publik më 30 janar 1969.Ndërtesa në atë adresë ishte gjithashtu selia e Beatles midis viteve 1968 dhe 1972. Ata regjistruan albumin e tyre të fundit Let It Be në bodrum, ku ndodhej studioja.
Paul McCartney i tha BBC-së britanike se donte që fansat e grupit në Londër të kishin një destinacion zyrtar të lidhur me Beatles.”Turistët vijnë në Angli dhe mund të shkojnë në studiot e Abbey Road, por nuk mund të hyjnë dhe ka shumë trafik… Kështu që mendoj se kjo është një ide e shkëlqyer”, shtoi ai.
Kompania britanike multimediale Apple Corps, e cila bleu ndërtesën në qendër të Londrës, planifikon të krijojë një përvojë të veçantë për fansat e John Lennon, Paul McCartney, George Harrison dhe Ringo Starr në ndërtesën shumëkatëshe, bazuar në materiale arkivore të papublikuara më parë dhe ekspozita të ndryshme.
Ndër të tjera, muzeu planifikon të rindërtojë me saktësi studion origjinale dhe pritet që vizitorët të jenë përsëri në gjendje të përjetojnë koncertin e famshëm në çati, pikërisht aty ku u mbajt.
Drejtori i Apple Corps, Tom Green, njoftoi gjithashtu se kangjellat origjinale të çatisë së vitit 1969 do të restaurohen. Performanca e fundit e Beatles u regjistrua në dokumentarin e Peter Jackson “The Beatles: Get Back”.
“Ishte një ndjesi vërtet e veçantë të kthehesha së fundmi në adresën 3 Savile Row dhe të shikoja përreth”, tha Paul McCartney në faqen e internetit të Beatles.
“Ka kaq shumë kujtime të veçanta brenda këtyre mureve – për të mos përmendur çatinë. Ekipi ka dalë me disa plane vërtet mbresëlënëse dhe mezi pres që njerëzit t’i shohin kur të përfundojnë”, shtoi ai.
Ringo Starr përshëndeti muzeun duke thënë: “Uau, është sikur të kthehesh në shtëpi.”
