Detaje të reja janë dhënë për gërmimet e zhvilluara në tri lokacione në komunën e Zubin Potokut, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave të dyshuar se janë viktima të luftës së fundit në Kosovë.
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Agron Limani, tha se kërkimet për këta persona ishin zhvilluar edhe më herët, por pa informacione të mjaftueshme që do të mundësonin përcaktimin e lokacioneve të sakta.
Sipas tij, këtë herë institucionet kanë arritur të sigurojnë informacione të besueshme nga persona që kishin dijeni për vendndodhjen e varrezave.
Ai shtoi se në lokacionin e parë janë gjetur mbetjet mortore të 13 personave, në të dytin të gjashtë personave, ndërsa në lokacionin e tretë shtatë persona.
Këto komente ai i bëri në diskutimin publik që u organizua të hënën nga Pro Peace Kosova dhe Integra, në bashkëpunim me Qendrën Barabar, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë.
Si u gjetën varrezat masive në zonën e Zubin Potokut?
“Përpjekje, gërmime, angazhime për zbardhjen e fatit të këtyre personave janë bërë edhe më herët, por nuk ka pasur informacione të besueshme që do të çonin deri te lokacionet e sakta. Për fat të mirë, ne arritëm t’i kemi në dispozicion tri lokacione të sakta. Fjala është për dy në Kalludër dhe një në Jabukë. Në varrezën e parë masive janë gjetur trembëdhjetë persona, në të dytën gjashtë dhe në të fundit shtatë persona, ku kompletohet numri i 23 gjetjeve eshtrore apo mortore”, tha ai.
Në anën tjetër, Instituti i Mjekësisë Ligjore tashmë pritet të nisë procesin e identifikimit të viktimave përmes analizave të ADN-së dhe ekzaminimeve antropologjike.
Zyrtari i Mjekësisë Ligjore, Dion Haliti, tha se pas marrjes së rezultateve do të bëhet edhe një ekzaminim i mbetjeve mortore, ndërsa më pas familjarët do të njoftohen për identifikimin e të afërmve të tyre.
Ai bëri të ditur se do të kryhen edhe autopsitë, me qëllim të përcaktimit të dëmtimeve në eshtra, shkakut dhe mënyrës së vdekjes. Gjetjet do t’i përcillen më pas Prokurorisë së Shtetit për procedurat e mëtejshme penale.
Sipas Halitit, nëse nuk paraqiten probleme gjatë nxjerrjes së profilit të ADN-së nga mostrat kockore, procesi i identifikimit mund të zgjasë deri në tre muaj.
Haliti: Procesi i identifikimit mund të zgjasë deri në tre muaj
“Pasi t’i marrim rezultatet, ne do t’i shkojmë edhe një herë mbetjet mortore dhe, në bazë të rezultatit të ADN-së dhe ekzaminimit antropologjik, do të bëjmë identifikimin e mbetjeve mortore. Pastaj do të njoftohen familjarët për identifikimin e të afërmve të tyre. Në të njëjtën kohë do të kryhet edhe autopsia e këtyre rasteve, në kuptim të përcaktimit të dëmtimit në kocka, për të përcaktuar shkakun dhe mënyrën e vdekjes, për të përgatitur një raport për Prokurorinë e Shtetit, pasi rasti do të ketë rrjedhën e vet penale. Në bazë të përvojës që e kemi, rastet të cilat i dërgojmë, ose kockore, nëse s’ka ndonjë problem të nxjerrjes së profilit të ADN-së nga mostra kockore, në bazë të praktikës sonë kjo periudhë kohore zgjat deri në tre muaj”, tha ai.
Ndërkohë, nga Ministria e Drejtësisë është kërkuar që zbulimi i këtyre mbetjeve të mos mbetet vetëm në kuadër të identifikimit të viktimave, por të kontribuojë edhe në zbardhjen e përgjegjësive për krimet e kryera gjatë luftës.
Baki Svirca tha se gjetja e këtyre personave është e rëndësishme edhe për shoqërinë, pasi ndihmon në dokumentimin e asaj që ka ndodhur gjatë luftës.
Svirca: Të arrihet drejtësia për viktimat e luftës
“Zhvillimet e fundit janë tepër të rëndësishme jo vetëm për të zbuluar fatin e këtyre personave, por edhe për shoqërinë, për të ditur se çka ka ndodhur. Për të ditur se çka ka ndodhur është me rëndësi të kemi prova dhe fakte. Një proces i tillë jo vetëm që është i rëndësishëm për familjarët, por, edhe nga ajo që kemi parë, është vetëm një prej përgjigjeve që kërkohet prej familjarëve. Shoqëria jonë kërkon edhe përgjigje të tjera, jo vetëm prova, si gjetjet, siç ndodhën në veri. Por është e rëndësishme që zbulimi dhe identifikimi i personave të përcillet edhe me arritjen e drejtësisë”, theksoi ai.
“Grupi i Intelektualëve të Mitrovicës”, që përbëhej prej 23 personash, ishte zhdukur që nga prilli i vitit 1999, ndërsa në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profesionistë të tjerë.
