Grupi punues i cili ka për detyrë hartimin e një strategjie shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para dhomave të Specializuara në Hagë, do të mbajë mbledhje sot.
Këtë e ka bërë të ditur të enjten kryesuesi i këtij grupi, Glauk Konjufca.
Ai ka thënë se mbledhja do të jetë e gjatë, por puna e grupit nuk do të jetë publike, për shkak siç ka thënë ai të specifikës së rastit.
Në këtë takim, sipas tij, do të shqyrtohen dokumentet e përgatitura veçmas nga institucionet dhe do të punohet për harmonizimin e tyre në një dokument të përbashkët.
“Veprimtaria e këtij grupi do të jetë goxha konfidenciale, se si i zhvillon punimet ky grup. Punimet tona nuk mund të jenë të hapura dhe ajo se si do ta merrni produktin e asaj çka ne prodhojmë mund të jetë edhe në një masë pak e kufizuar. Kjo më vjen keq që është kështu, por për shkak të natyrës së qëllimeve që do t’i arrijë ky grup strategjik dhe qëllimi është që me e fitu rastin”, ka thënë Konjufca.
Në këtë këtë grup, përfshihen përfaqësues nga Qeveria, Kryesia e Kuvendit të Kosovës , përfaqësues të grupeve parlamentare , po ashtu edhe përfaqësuesin nga grupi i komuniteteve joshumicë, jo serbe.
