Lajme

Tri kandidatura për kreun e LDK-së, Maraj analizon kandidatët dhe tregon çfarë duhet të ndryshojë partia për t’u rikthyer në majë

Zgjedhjet për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) pritet të mbahen në vitin 2027, por gara për të marrë drejtimin e kësaj partie ka nisur të marrë formë shumë më herët.

Javë më parë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, shpalli zyrtarisht kandidaturën e tij për kreun e LDK-së, ndërsa gjatë kësaj jave edhe dy deputetë të kësaj partie kanë konfirmuar synimet për të garuar për këtë pozitë.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, konfirmoi të mërkurën se do të jetë kandidat për kryetar të partisë në zgjedhjet e ardhshme të brendshme.

Në një intervistë në Kanal 10, Gashi tha se beson se i plotëson kushtet për të hyrë në garën për drejtimin e LDK-së.

Ai përmendi ambicien, profilin dhe programin si elemente që, sipas tij, e bëjnë të përshtatshëm për një kandidim të tillë.

Gashi theksoi se, ndonëse partia ende nuk ka hyrë në fazën e përcaktimit të kandidaturave, ai vlerëson se ka ardhur koha t’i shqyrtojë mundësitë për të marrë drejtimin e saj.

“Besoj që i plotësoj formalitetet dhe kushtet që i pata: ambicien, profilin e programin. Meqenëse s’jemi ende në atë fazë, por jemi në politikë për një kohë të konsiderueshme dhe kam kontributin tim, mendoj se ka ardhur koha t’i shoh mundësitë se si bashkërisht ta bëjmë LDK-në dhe Kosovën më të mirë. Mund ta thuash me zë të qartë dhe të lartë”, ka deklaruar Gashi.

Një ditë më vonë, edhe deputetja Hykmete Bajrami konfirmoi se do të kandidojë për kryetare të LDK-së.

Në emisionin “Pressing”, të enjten mbrëma, Bajrami deklaroi se ka interes për këtë pozitë dhe se do të hyjë në garë, pavarësisht se kur do të mbahen zgjedhjet e brendshme. Data e tyre ende nuk është caktuar.

Me këtë, Bajrami bëhet pretendentja e tretë që ka bërë publike ambiciet për drejtimin e LDK-së.

Lidhur me zhvillimet brenda LDK-së dhe rëndësinë e kësaj gare, për gazetën “Bota sot”, ka folur analisti politik Milazim Maraj, i cili e konsideron konkurrencën si një shenjë pozitive dhe të domosdoshme për të ardhmen e partisë.

Image
Milazim Maraj

Sipas tij, gara mes disa kandidatëve nuk duhet të shihet si përplasje e brendshme, por si mundësi për demokratizimin e partisë dhe rikthimin e saj në rrugën e suksesit.

“Konkurrenca për kryetar të LDK-së është shenjë e mirë. Gjithmonë në demokraci konkurrenca sjell progres. Publikisht kanë shprehur interesimin për të konkurruar për kryetar të LDK-së, që do të mbahen në vitin 2027, Arben Gashi, Hykmete Bajrami dhe Përparim Rama. Deri te zgjedhjet ka ende kohë dhe mund të dalë edhe ndonjë kandidat tjetër i interesuar për të qenë kryetar i LDK-së. Ky interesim është pozitiv. Dëshira për të qenë kandidat për kryetar jep më shumë mundësi për zgjedhje”, ka deklaruar Maraj.

Ai vlerëson se zgjedhjet për kryetar të LDK-së është dashur të mbaheshin shumë më herët, pasi, sipas tij, vonesat dhe mënyra e udhëheqjes ndër vite i kanë kushtuar shtrenjtë kësaj partie.

Maraj rikthehet edhe te zhvillimet pas vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke vlerësuar se problemet e brendshme nisën pikërisht në atë periudhë dhe u thelluan gjatë udhëheqjeve të mëvonshme.

“Dëmtimi i kësaj partie filloi menjëherë pas Dr. Ibrahim Rugovës. Dr. Fatmir Sejdiu nuk arriti asnjë kuvend ta kalonte pa përplasje, që për LDK-në ishin diçka e rëndë dhe shumë e papritur. Ardhja në një formë gati kontrabandë e Isa Mustafës ishte vazhdim i shthurjes së kësaj partie, që arriti të bashkojë shqiptarët në Kosovë dhe jashtë saj”, ka thënë ai.

Sipas Marajt, LDK-ja dikur kishte një filozofi të qartë politike dhe një rol të rëndësishëm në organizimin e shqiptarëve dhe në shtetformimin e Kosovës, ndërsa sot përballet me vështirësi për të ndërtuar një strukturë të qëndrueshme të brendshme.

Ai thekson se dalja e disa kandidatëve në garën për kryetar nuk duhet të interpretohet si shenjë përçarjeje, pasi problemet, sipas tij, janë krijuar pikërisht nga mungesa e konkurrencës së mirëfilltë demokratike.

“Dalja e më shumë kandidatëve për kryetar të LDK-së nuk paraqet ndonjë përplasje brenda partisë. Këto përplasje dolën në sipërfaqe pikërisht për shkak se këtë mundësi e humbën. Pastaj, ‘Rruga e Re’, si formë tjetër e udhëheqjes, u tregua se nuk u përkrah nga elektorati. Jo kandidatët do ta gjejnë veten pas votimit dhe do të pajtohen me vendin që u jep numri i votave që do të fitojnë”, është shprehur Maraj.

Duke folur për tre emrat që kanë shprehur interesim për të marrë drejtimin e partisë, analisti vlerëson se secili prej tyre ka potencialin dhe përvojën e nevojshme, ndonëse në nivele të ndryshme. Megjithatë, ai konsideron se vendimtare do të jetë mënyra se si kandidatët e shohin të ardhmen e LDK-së dhe çfarë synojnë të arrijnë përmes udhëheqjes së tyre.

“Të tre kanë potencial intelektual për të udhëhequr, kanë edhe përvojë, kush më shumë e kush më pak, në politikë. Varet si do ta shohin këta LDK-në dhe çka synojnë të arrijnë. Çfarëdo centralizimi të politikës në LDK do të dalë i pasuksesshëm. Këtë e kanë parë në zgjedhjet e përmendura më lart dhe deri tani”, ka theksuar ai.

Maraj insiston se zgjidhja për LDK-në nuk qëndron vetëm te zgjedhja e një kryetari të ri, por te një proces i gjerë demokratizimi, i cili duhet të nisë nga baza e partisë. Sipas tij, është e domosdoshme edhe ndryshimi i strukturës organizative dhe rikthimi i mënyrës së mëparshme të funksionimit të saj.

Ai thotë se LDK-ja ka potencial intelektual dhe profesional në shumë fusha, si dhe një gjeneratë të re që dëshiron të ndërtojë të ardhmen në Kosovë, por që aktualisht nuk po i sheh mundësitë e duhura.

“Mendoj që vetëm një garë e mirëfilltë, që do të fillonte nga baza, duke ndërruar edhe strukturën organizative të saj dhe duke e kthyer atë të kaluarën, do të jepte rezultate pozitive dhe do të arrinte aty ku duhet të jetë LDK-ja dhe Kosova. Për këtë LDK-ja ka potencial intelektual dhe profesional nga të gjitha fushat. Ka gjeneratën e re që sheh perspektivën e jetës së saj në Kosovë, që tani po u mungon. Kanë ambicie të ndërtojnë shtet modern që do të gëzojë përkrahje nga aleatët tanë, që janë gati të investojnë në Kosovë të qetë dhe demokratike”, ka deklaruar Maraj.

Në këtë drejtim, ai e konsideron garën demokratike si mundësinë e vetme për të ndryshuar gjendjen në të cilën ndodhet partia, duke theksuar se kandidatët duhet të kenë hapësirë të barabartë për të prezantuar vizionin, aftësitë dhe alternativat e tyre.

“Gara demokratike në LDK është më se e domosdoshme, madje e vetmja mundësi. Kjo nuk do të thotë që kandidatët e deklaruar nuk do të kenë mundësi të prezantojnë aftësitë e tyre, vizionin dhe opsionet për të arritur rezultate më të mira në parti dhe në Kosovë. Pësimet e LDK-së që nga kalimi i Dr. Ibrahim Rugovës në amshim do të duhej të jenë shkollë për udhëheqësit e ardhshëm në të gjitha nivelet”, ka thënë ai.

Në fund, Maraj vë theksin te nevoja për unitet, respekt të ndërsjellë dhe përfshirje të të gjithë anëtarëve të partisë, pavarësisht se cilin kandidat mbështesin. Sipas tij, asnjë grup brenda LDK-së nuk duhet të ndihet i përjashtuar nga procesi zgjedhor, pasi vendimi përfundimtar duhet t’u takojë anëtarëve përmes votës.

“Në LDK çdo anëtar dhe anëtare është i rëndësishëm dhe për këtë meritojnë respekt. Respekti në LDK është element i filozofisë politike që ka treguar sukses edhe atëherë kur nuk ka pasur shpresë për arritje. Çdo grup i supozuar në LDK, në zgjedhje demokratike, do ta gjejë veten, përkundër orekseve që mund të jenë dalë nga binarët normalë”, ka përfunduar Maraj.

Ai thekson se qëllimi përfundimtar i LDK-së duhet të jetë ndërtimi i një Kosove demokratike dhe me perspektivë për qytetarët e saj, duke rikujtuar se suksesi politik nuk mund të ndahet nga mirëqenia e shoqërisë.

“E rëndësishme është të kërkohet dhe ndërtohet jeta e lumtur në Kosovë dhe të kuptohet që mund të jemi të lumtur vetëm në mesin e njerëzve të lumtur. Kjo do të ishte Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka përfunduar analisti Milazim Maraj.

Të Ngjashme