Joz Marku ka reaguar për herë të parë pas zhvillimeve të fundit që pasuan përplasjen e tij me Edi Kuçin dhe publikimin e pamjeve të incidentit.
Në deklaratën e tij, këngëtari ka habitur me mënyrën se si e ka komentuar të gjithë situatën, duke pretenduar se ajo që është parë në video nuk ka qenë një konflikt real.
“Asgjë s’ka ndodhur, jemi aktorë, e kemi bërë vetë!”, është shprehur Jozi, duke lënë të kuptohet se përballja me Edin ka qenë e inskenuar.
Ai ka komentuar gjithashtu raportimet se Prokuroria Themelore në Pejë ka hapur rast pas incidentit dhe se është kërkuar arrestimi i tij.
“Lajmet për urdhër-arrest janë fake, nuk kam arsye të jem atje”, ka deklaruar këngëtari.
Deklarata e Jozit vjen vetëm pak pasi Klan Kosova raportoi se Prokuroria Themelore në Pejë kishte hapur rast lidhur me incidentin. Sipas televizionit, informacioni për hapjen e rastit ishte konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ndërsa ishte raportuar edhe për kërkesë për arrestimin e këngëtarit.
Ndërkohë, videot që kanë qarkulluar gjatë ditëve të fundit tregojnë përballjen mes Jozit dhe Edit, ku situata përshkallëzohet deri në kontakt fizik. Në një prej momenteve, Jozi dëgjohet duke i kërkuar Edit llogari për deklaratat e mëparshme ndaj tij.
Mbetet për t’u sqaruar nëse deklarata e fundit e Jozit se gjithçka ishte “aktrim” është serioze apo një përgjigje ironike ndaj situatës.
Po ashtu, pretendimi i tij se raportimet për procedurat ndaj tij janë “fake” bie ndesh me informacionin e publikuar nga Klan Kosova dhe të atribuuar Prokurorisë së Pejës.
