Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kërkuar që të thirret urgjentisht seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Hamza ka deklaruar se Kuvendi nuk mund të trajtohet si pronë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe e Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se konstituimi i institucionit është detyrim kushtetues.
“Kuvendi nuk është pronë e Albin Kurtit dhe e Lëvizjes Vetëvendosje. Pushteti duhet ta thërrasë urgjentisht seancën për konstituimin e tij”, ka shkruar Hamza.
Sipas tij, procesi i konstituimit nuk mund të kushtëzohet nga marrëveshje politike, kalkulime elektorale apo interesa personale.
Hamza ka akuzuar Kurtin se po e zvarrit procesin për shkak të kalkulimeve politike, duke paralajmëruar se vazhdimi i vakumit institucional mund të krijojë hapësirë për skenarë të rinj politikë dhe zgjedhorë.
Ai e ka cilësuar situatën si “kapje brutale të shtetit” dhe shkelje të Kushtetutës, duke theksuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen dhe nuk mund të trajtohen si rekomandime.
“Thirreni seancën. Respektoni Kushtetutën. Kuvendi duhet të konstituohet”, ka deklaruar Hamza.
Kreu i PDK-së ka kërkuar që procesi të zhvillohet menjëherë, duke paralajmëruar se askush nuk mund ta mbajë vendin në vakum kushtetues dhe ligjor për interesa elektorale.
“Kuvendi duhet të konstituohet tash, menjëherë!”, ka përfunduar Hamza./teve1.info/
