Lajme

Hamza: Limaj nuk do të jetë pjesë e listës së PDK-së këtë radhë

Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar rikthimin e Fatmir Limaj dhe kandidimin e tij në listën e kësaj partie për zgjedhjet e 7 qershorit.

Këtë e bëri të ditur kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë.

Limaj, javën e kaluar, i kishte dërguar një letër Hamzës, ku kishte deklaruar se në rast se nuk pranohej rikthimi i tij në listën e PDK-së, nuk do të garonte në zgjedhjet e 7 qershorit.

Në letrën e tij, Limaj kishte shprehur gatishmëri për bashkëpunim dhe bashkim politik, duke e cilësuar këtë si një lëvizje “në funksion të krijimit të një alternative të fuqishme dhe përfaqësuese për qytetarët e Republikës së Kosovës”.

“Sa i përket diskutimeve të fundit në media, ne kemi pranuar një letër nga kryetari i NISMA-s Socialdemokrate, z. Fatmir Limaj. Pas diskutimeve në kryesinë e PDK-së, kemi një qëndrim të përbashkët: e mirëpresim kontributin e z. Limaj dhe NISMA-s që do të japin për PDK-në në këto zgjedhje. Jemi të bindur që kjo mbështetje do të rrisë votën për partinë tonë. Për korrektësi ndaj jush, z. Limaj nuk do të jetë pjesë e listës zgjedhore të PDK-së për deputetë. Ky ka qenë edhe vullneti i tij, pasi në letrën e dërguar ai nuk ka kërkuar të jetë pjesë e listës, por ka ofruar mbështetjen e subjektit të tij për rrugëtimin tonë të përbashkët”, tha Hamza para mediave.

Të Ngjashme