Lajme

Hamza: Më 12 shtator të bashkohemi në Prishtinë, Kosova do ta mbrojë të vërtetën e saj

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se ai dhe partia që udhëheq mbështesin plotësisht “Marshin për Liri”, të organizuar nga “Liria ka Emër”, e i cili, siç u tha sot në një konferencë të shtypi nga përfaqësues të kësaj platforme, do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, nën moton “Kosova po pret”.

Hamza bëri thirrje për mobilizim të gjerë dhe pjesëmarrje në marsh, duke theksuar se 16 shtatori është një datë e rëndësishme për Kosovën dhe për të vërtetën e luftës çlirimtare.

“Edhe 25 ditë na ndajnë nga 16 shtatori, një ditë e rëndësishme për Kosovën dhe për të vërtetën e luftës sonë çlirimtare. Në prag të kësaj date, duhet ta ngremë edhe një herë zërin për historinë që e kemi jetuar dhe për çlirimtarët tanë”, tha ai, sipas një njoftimi të partisë së tij.

Kreu i PDK-së ka ftuar të gjitha strukturat e partisë, në çdo komunë, degë dhe nëndegë, që të mobilizohen dhe t’i bashkohen organizimit të 12 shtatorit.

Hamza ka paralajmëruar se deri më 16 shtator do të zhvillohen edhe aktivitete të tjera “për të avokuar për drejtësi, për lirinë e çlirimtarëve dhe për pritjen e tyre në Kosovë”.

Ai ka theksuar se marshi duhet të tejkalojë ndarjet partiake, duke u bërë thirrje qytetarëve të të gjitha bindjeve politike që të marrin pjesë.

“Askush nuk duhet të mbetet anash kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të vërtetës sonë. Prandaj, i ftoj të gjithë qytetarët, pa dallim partie, bindjeje apo përkatësie politike, që më 12 shtator të jemi bashkë në Prishtinë. Sepse kjo nuk është çështje partie, por çështje e historisë, e lirisë dhe e dinjitetit tonë shtetëror”, ka deklaruar Hamza. “Më 12 shtator, le të jemi të gjithë në Prishtinë. Nga çdo komunë. Nga çdo lagje. Nga çdo gjeneratë. Kosova e di historinë e saj. Kosova është krenare me të. Dhe Kosova do ta mbrojë me çdo formë të vërtetën e saj”.

Të Ngjashme