Lajme

Hamza takon Kurtin, Abdixhikun dhe Gjinin pas vendimit në Hagë: Diskutuam për bashkëpunimin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka zhvilluar sot takime të ndara me tre liderët e partive parlamentare, Albin Kurtin, Lumir Abdixhikun dhe Ardian Gjinin, pas vendimit në Hagë.

Hamza ka bërë të ditur se takimet janë zhvilluar me kërkesën e tij, ndërsa ka falënderuar tre liderët për takimet.

“Sot, me kërkesën time, pas vendimit në Hagë, u takova ndaras me tre liderët e partive parlamentare, z. Kurti, z. Abdixhiku dhe z. Gjini. I falënderoj të tre për takimet”, ka shkruar Hamza.

Kryetari i PDK-së ka bërë të ditur se në takime është diskutuar për situatën e krijuar, sfidat me të cilat po përballet vendi, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet forcave politike në këtë periudhë.

“Ne biseduam për seriozitetin e situatës së krijuar, sfidat me të cilat po përballemi, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në këtë periudhë të rëndësishme për popullin dhe shtetin tonë”, ka deklaruar Hamza.

Takimet e sotme vijnë një ditë pas vendimit në Hagë dhe në një moment kur zhvillimet e krijuara pas tij kanë hapur diskutime për hapat dhe koordinimin institucional e politik në Kosovë.

Të Ngjashme