Kuriozitete

Hapet shtëpia-muze e Dritëro Agollit në Menkulas të Devollit, Begaj: Hapësirë që i shtohet trashëgimisë sonë kulturore

Në fshatin Menkulas të Devollit u hap shtëpia-muze e Dritëro Agollit, një hapësirë e re kushtuar jetës dhe veprës së shkrimtarit, me synimin për të ruajtur kujtesën e tij dhe për ta afruar trashëgiminë letrare me brezat e rinj.

Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili vlerësoi kontributin e Agollit në letërsinë shqipe dhe lidhjen e veçantë që ai ruajti me vendlindjen.

Sipas Presidentit, hapja e shtëpisë-muze nuk është vetëm një homazh për shkrimtarin, por edhe një mundësi për zhvillimin kulturor të zonës dhe promovimin e Devollit.

“Njeriu largohet nga vendlindja për të njohur botën, por ka njerëz që, përmes veprës së tyre, e bëjnë vendlindjen të njohur për botën. Dritëro Agolli i bëri të dyja këto. Inaugurimi i kësaj shtëpie-muze sot është jo vetëm një akt mirënjohjeje ndaj një shkrimtari të shquar, por edhe një shembull i përgjegjësisë që komunitetet lokale duhet të kenë për historinë dhe identitetin e tyre. Kjo nuk është thjesht shtëpia e kujtesës së një individi. Është një pasuri e re kulturore e Devollit, një adresë e re për vizitorët, studiuesit dhe të rinjtë, një hapësirë që i shtohet trashëgimisë sonë kulturore kombëtare”, tha Begaj.

Begaj vlerësoi aftësinë e Agollit për të pasqyruar jetën e njerëzve të zakonshëm, ndjenjat e tyre dhe realitetin shoqëror përmes poezisë, prozës dhe humorit.

“Dritëroi ishte shkrimtar që nuk i shihte njerëzit nga lart. Ai qëndronte mes tyre. Prandaj lexuesi shqiptar e ndiente të afërt: në poezinë e tij gjente ndjenjat e veta, në prozën e tij njihte njerëzit që kishte takuar, ndërsa në humorin e tij zbulonte të vërteta që shpesh nuk mund të thuheshin ndryshe”, u shpreh Begaj.

Gjatë fjalës së tij, kreu i shtetit vlerësoi gjithashtu kontributin e Agollit si intelektual në debatet shoqërore, veçanërisht gjatë ndryshimeve të viteve ’90.

Përveç pjesëmarrjes në ceremoninë e hapjes së muzeut, Begaj zhvilloi takime në Bashkinë e Devollit, ku u prit nga kryetari Eduard Duro dhe prefektja e Korçës, Florinda Zegullaj. Gjatë vizitës, ai u ndal edhe në Teqenë e Inonishtit në Kuç dhe në kishën e Shën Kollit në Hoçisht, dy objekte fetare me vlera historike për zonën.

Të Ngjashme