Shtëpia e Bardhë është shumë më tepër se rezidenca e presidentit amerikan. Ajo pasqyron historinë, politikën dhe kulturën e Shteteve të Bashkuara. Që kur John Adams u bë banori i parë i saj, në vitin 1800, ndërtesa është djegur gjatë luftës, ka pritur udhëheqës botërorë e protestues, është degraduar deri në prag të shembjes dhe ka kaluar nëpër rinovime të kushtueshme e të debatueshme.
Këto pesë libra zbulojnë historinë e një ndërtese plot kontradikta: simbol i lirisë, i ndërtuar pjesërisht nga njerëz të skllavëruar; një pallat presidencial në një republikë që kishte hedhur poshtë monarkinë; dhe një rezidencë madhështore, ambientet e së cilës shpesh ishin të amortizuara dhe të pasigurta.
1.“The Hidden White House: Harry Trumanand the Reconstruction of America’s Most Famous Residence” (2013), nga Robert Klara
Në vitin 1948, gjendja e Shtëpisë së Bardhë ishte aq e rëndë, sa pianoja e vajzës së presidentit Harry Truman, Margaret, ra pjesërisht përmes dyshemesë së dhomës së saj. Edhe vaska e presidentit rrezikoi të shembej përmes tavanit të Dhomës Blu.
Pas dekadash ndërhyrjesh të pjesshme dhe riparimesh të neglizhuara, ndërtesa rrezikonte shembjen. Klara tregon se si Truman e mbajti të fshehtë gjendjen katastrofike deri pas zgjedhjeve, para se të zhvendosej me familjen dhe të siguronte fondet për rindërtimin e brendshëm pothuajse nga e para. U ruajtën vetëm muret e jashtme, ndërsa ndërtesa u pajis me një strukturë të re çeliku dhe një strehë kundër bombardimeve.
2.“Under This Roof: The White Houseand the Presidency—21 Presidents, 21 Rooms, 21 Inside Stories” (2015), nga Paul Brandus
Gazetari Paul Brandus rrëfen historinë e Shtëpisë së Bardhë përmes 21 dhomave dhe ngjarjeve që kanë ndodhur brenda tyre. Libri ndërthur fakte historike me episode zbavitëse nga jeta private e presidentëve.
John Adams ankohej për ndërtesën ende të papërfunduar, ndërsa Warren G. Harding e përdorte rezidencën për takime të fshehta dashurore dhe lojëra pokeri, gjatë të cilave humbi edhe një komplet porcelani të Shtëpisë së Bardhë. Me humor dhe kuriozitete, Brandus tregon se si kjo ndërtesë ka ruajtur një vend të veçantë në historinë presidenciale amerikane.
3. “The Black Historyof the White House” (2011), nga Clarence Lusane
Politologu Clarence Lusane shqyrton rolin e afro-amerikanëve në historinë e Shtëpisë së Bardhë, nga punëtorët e skllavëruar deri te stafi dhe këshilltarët që ndikuan në vendimmarrjen presidenciale.
Libri sjell në vëmendje figura të lëna shpesh në hije, si ElizabethKeckly, rrobaqepësja dhe e besuara e Mary Todd Lincoln-it, dhe Mary McLeod Bethune, këshilltare me ndikim gjatë presidencës së Franklin Roosevelt-it. Lusane trajton gjithashtu historinë e E. Frederic Morrow-t, punonjësit të parë profesionist me ngjyrë në stafin e Shtëpisë së Bardhë, gjatë administratës së Eisenhower-it. Përmes këtyre historive, libri zbulon si pabarazia racore dhe lufta për të drejta kanë formësuar institucionin.
4. “All the Presidents’ Gardens” (2016), nga Marta McDowell
Autorja dhe hortikulturistja Marta McDowell tregon se si presidentët amerikanë kanë ndryshuar kopshtet e Shtëpisë së Bardhë sipas shijeve dhe prioriteteve të kohës.
Kopshti me perime i James Madison-it siguronte ushqime për familjen presidenciale, ndërsa Kopshti i Trëndafilave i epokës së Kennedy-ve solli elegancë të re. Michelle dhe Barack Obama krijuan një kopsht kuzhine për të promovuar ushqyerjen e shëndetshme.
Libri përfshin edhe histori të pazakonta për kafshët që kanë jetuar në oborr, mes tyre dhitë e preferuara të Abraham Lincoln-it dhe lopën e fundit që kulloti në lëndinën presidenciale, gjatë administratës së WilliamHoward Taft-it.
5. “The White House: An Illustrated Architectural History” (2013), nga Patrick Phillips-Schrock
Me më shumë se 325 fotografi, ilustrime dhe skema arkitekturore, Phillips-Schrock dokumenton zhvillimin e Shtëpisë së Bardhë gjatë më shumë se dy shekujve.
Ai shpjegon ndikimet franceze dhe irlandeze në projektimin e saj, si dhe vështirësinë për të krijuar një rezidencë madhështore për një komb të ri pa imituar pallatet mbretërore. Libri ndjek ndryshimet në arkitekturë, dekor dhe art, duke treguar se si ndërtesa është përshtatur vazhdimisht me identitetin dhe aspiratat e një kombi në ndryshim.
