Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës edhe sot në mengjes kanë zhvilluar aksionin protestues para Qeverisë.
Atyre tash e disa ditë ia ka bashkuar edhe disa deputetë të Aleancës, derisa sot në mbështetje kishin edhe disa asambleistë të Lipjanit.
Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, ka kritikuar deputetin Albin Kurti, duke e akuzuar se po shkel Kushtetutën dhe rendin juridik të vendit për interesa personale.
“Na edhe sot jemi këtu për të shprehur fuqishëm kundërshtimin tonë ndaj veprimeve të deputetit Albin Kurti, i cili me vetëdije të plotë është duke shkelur Kushtetutën, rendin juridik të vendit tonë, kryekëput për interesat e tij, për egon e tij dhe për qëllimet e tij tashmë personale, sepse është më se e qartë se gjithçka është e dirigjuar nga ai”, tha Demaku.
Ai i bëri thirrje Kurtit që të ndryshojë qëndrimin, duke paralajmëruar rritje të zemërimit qytetar.
“Ne i bëjmë thirrje që sa më shpejt të ndryshojë këtë qëndrim, sepse në këtë formë, nëse vazhdohet edhe më tutje, zemërimi i qytetarëve do të rritet dhe për pasojat, përgjegjësitë do t’i bartë ai në ditët në vazhdim”, deklaroi Demaku.
Asambleistja nga Komuna e Lipjanit, Yllëza Bedrolli, ka deklaruar se e përkrah protestën kundër bllokimit të institucioneve, duke kërkuar që Kuvendi të hapë dyert dhe të vazhdojë procesi i formimit të institucioneve.
“Sot ne e përkrahim këtë protestë me faktin që nuk mundemi me leju me u blloku institucionet, nuk mundemi me leju që me u mbyll dyert e një institucioni publik siç është Kuvendi. Andaj, unë e ftoj deputetin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje që me ardhur dhe me i hap dyert e Kuvendit edhe prej sot me filluar me i formuar institucionet, mos me i bllokuar këto edhe kryesisht mos me shkelë Kushtetutën, sepse Kushtetuta duhet të jetë mbi çdo interes politik”, tha Bedrolli.
Ajo theksoi se institucionet duhet të funksionojnë në interes të Republikës dhe demokracisë.
“Ne jetojmë për Republikë, demokraci në mbështetje të tyre”, deklaroi Bedrolli.
