Lajme

Haradinaj kritikon Kurtin për politikat energjetike: Po ia garanton Serbisë tregun e energjisë

Ish-kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka drejtuar kritika ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me politikat energjetike dhe ekonomike të qeverisë së tij.

Haradinaj tha se gjatë qeverisjes së tij ishin ndërmarrë hapa që synonin forcimin e pavarësisë ekonomike dhe energjetike të Kosovës, duke përmendur vendosjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe, projektin me ContourGlobal dhe iniciativën amerikane për gazin.

Sipas tij, këto projekte dhe masa janë refuzuar nga Kurti, duke dëmtuar interesat strategjike të vendit.

Ai shprehu shqetësim edhe për importin e mallrave nga Serbia, ndërsa theksoi se Kosova gjatë vitit të kaluar ka shpenzuar rreth 259 milionë euro për importin e energjisë elektrike.

Haradinaj deklaroi se me riaktualizimin e projektit të gazit amerikan, persona të afërt me Kurtin po përgatiten për protesta kundër këtij projekti.

“Tash, kur është riaktualizuar çështja e gazit, njerëzit e tij po përgatiten për protesta kundër gazit amerikan. Kush është ky njeri? A është me të vërtetë kundër gazit apo kundër Amerikës? Tregun e mallrave ia dha Serbisë, ndërsa tregun energjetik po ia garanton. Çka don ky njeri nga Kosova?”, ka deklaruar Haradinaj.

 

Të Ngjashme