Lajme

Haskuka: Hamza e Abdixhiku s’kanë fuqi vendimmarrëse në partitë e tyre

Anëtari i LVV-së, Mytaher Haskuka, ka kritikuar ashpër liderët e opozitës lidhur me situatën politike dhe procesin e zgjedhjes së presidentit.

Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, ai ka deklaruar se opozita ka qenë ajo që ka shtyrë vendin drejt zgjedhjeve, duke theksuar se brenda partive të tyre mungon vendimmarrja e qartë nga liderët.

Sipas Haskukës, Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku nuk kanë fuqi reale për të marrë vendime në partitë që drejtojnë.

“Ne u kemi thënë LDK-së dhe PDK-së: na jepni tre emra dhe deputetët le të vendosin kë duan ta votojnë. Madje u kemi ofruar edhe presidentin. Por ata realisht nuk kanë pasur nënshkrime, as për kandidatë e lëre më për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë Haskuka.

Ai shtoi se LVV-ja kishte siguruar 66 nënshkrime dhe ishte e gatshme të tërhiqej për t’i hapur rrugë një marrëveshjeje, por sipas tij, opozita nuk është përgjigjur.

“Kemi pritur deri në minutën e fundit, por opozita nuk erdhi. Ata kanë kërkuar me çdo kusht të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Për më tepër, unë mendoj se z. Abdixhiku dhe z. Hamza nuk mund të vendosin për partitë e tyre, sepse vendimet i marrin grupet brenda tyre dhe ata nuk kanë fuqi politike për t’i çuar proceset përpara”, është shprehur ai.

Haskuka theksoi se, sipas tij, përgjegjësia për dështimin e marrëveshjes bie mbi opozitën, e cila nuk mori pjesë në takimet e fundit pavarësisht pritjes deri në orët e vona.

Të Ngjashme