Lajme

Haxhiu: Alush Gashi i shërbeu Kosovës në periudha vendimtare

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur ngushëllime familjarëve të profesor dr. Alush Gashi, pas ndarjes nga jeta duke e vlerësuar kontributin e tij në arsim, shëndetësi dhe në proceset shtetformuese të Kosovës.

Haxhiu tha se me pikëllim e mori lajmin për vdekjen e mjekut, profesorit universitar, veprimtarit politik dhe nënshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Sipas saj, Alush Gashi i shërbeu vendit në shumë fusha dhe në periudha të rëndësishme të historisë së Kosovës.

Ajo theksoi se si profesor i Anatomisë, specialist i Kirurgjisë së Përgjithshme dhe ish-dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Universiteti i Prishtinës, ai dha kontribut të çmuar në arsimin e lartë dhe sistemin shëndetësor të vendit.

Në reagimin e saj, Haxhiu kujtoi edhe angazhimin politik dhe institucional të të ndjerit, duke thënë se ai ishte pjesë e proceseve që e çuan Kosovën drejt lirisë dhe shtetësisë.

Në fund, ajo u shprehu ngushëllime familjes Gashi, miqve, bashkëpunëtorëve, komunitetit akademik dhe mjekësor, si dhe të gjithë atyre që e njohën dhe punuan me profesor Alush Gashi.

Të Ngjashme