Mobilizimi sa më i madh i grave në zgjedhjet e ardhshme ishte fokusi kryesor i mbledhjes së Këshillit të përgjithshëm të organizatës Gratë për Vetëvendosje. Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe njëkohësisht kryetarja e kësaj organizate, Albulena Haxhiu tha se pjesëmarrja e tyre është vendimtare për demokracinë dhe zhvillimin e vendit.
Haxhiu: Beteja për daljen e grave në votime është betejë për emancipim
“Për shumë gra në Kosovë, sidomos për gratë në zonat rurale, kutia e votimit mbetet podiumi i parë dhe më i rëndësishëm politik. Është momenti kur zëri i tyre bëhet publik, kur vullneti i tyre bëhet vendim dhe kur prania e tyre bëhet pjesë e Republikës. Prandaj, beteja për daljen e grave në votime është betejë për emancipim, sepse një Republikë, ku gratë marrin pjesë masivisht është Republikë më demokratike, më e drejtë dhe më e lirë”, tha ajo.
Sipas saj, solidariteti gjinor mbetet një nga parimet kryesore të organizimit politik të grave në Lëvizjen Vetëvendosje, duke theksuar se gratë kandidate nuk duhet të shihen si rivale, por si bashkudhëtare në betejën për barazi dhe zhvillim.
Ajo u bëri thirrje grave për mobilizim të madh në zgjedhjet e ardhshme.
Haxhiu: Kur gratë organizohen, fiton Republika
“Le ta mbushim Kosovën me energjinë e grave të Lëvizjes, me energjinë e grave të Kosovës. Le të dalim masivisht në votime në çdo lagje, në çdo fshat, sepse kur gratë mobilizohen, fiton Lëvizja. Kur gratë organizohen, fiton Republika. E kur gratë fitojnë, fiton e gjithë Kosova. Ju uroj shëndet e punë të mbarë! Na presin shumë aktivitete, por jam shumë e bindur në vullnetin e hekurt që kemi si organizatë, por edhe si aktiviste politike”, tha ajo.
Haxhiu tha se blloku opozitar nuk po e pranon rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe besimin që qytetarët ia kanë dhënë Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit. Sipas saj, në këto rrethana organizimi ka rëndësi të madhe.
Haxhiu: Ata të cilët e refuzojnë verdiktin e qytetarëve do ta marrin përgjigjen me 7 qershor
“Ata të cilët e refuzojnë verdiktin e qytetarëve do ta marrin përgjigjen edhe një herë e kjo ditë do të jetë 7 qershori. Por të dashura vasha dhe gra, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në anën e qytetarëve, sepse askush nuk ka të drejtë ta mbajë peng shtetin vetëm sepse nuk i pëlqen rezultati zgjedhor. Pikërisht në këto rrethana, organizimi merr rëndësi edhe më të madhe, sepse sa herë që politika e vjetër përpiqet ta mbajë peng Republikën, gratë e Lëvizjes sot bëhen forca që lëviz përpara”, tha ajo.
Ndërsaa, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Lëvizjes Vetëvendosje po i bashkohen gjithnjë e më shumë vajza dhe gra nga fusha të ndryshme profesionale, duke e cilësuar këtë si dëshmi të forcimit të organizimit politik dhe shoqëror.
Kurti: Gratë kanë qenë njerëzit më të qëndrueshëm në këtë Lëvizje
“Kur një organizatë arrin të lidhë breza, atëherë ajo nuk mbetet një strukturë politike, por bëhet organizim shtetëror. Gratë kanë qenë njerëzit më të qëndrueshëm në këtë Lëvizje. Jo sepse e kanë pasur më lehtë, sepse shpesh e kanë pasur më vështirë se të tjerët, por e kanë kuptuar se organizimi nuk mbahet vetiu, por nga njerëzit që vazhdojnë të rrinë aty. Ato e kanë ditur atë që ne e themi jo vetëm sot: kush qëndron, fiton”, tha ai.
Sipas tij, puna organizative e grave shpesh mbetet e padukshme, por është thelbësore për funksionimin e Lëvizjes Vetëvendosje , sidomos gjatë fushatave zgjedhore dhe aktiviteteve në terren.
Kurti: Aktivistja politike në Lëvizje rrallëherë ka pasur luksin që të merret vetëm me politikë
“Shumë prej jush e keni ndërtuar këtë Lëvizje në kohë kur angazhimi politik sillte kosto personale, paragjykime, denigrime e sulme të vazhdueshme. Kjo kohë për gratë ka qenë më e rëndë. Ka pasur raste kur gratë e kësaj Lëvizjeje janë sulmuar më shumë për mënyrën si flasin, duken e sillen, sesa për vetë idetë ose mendimet e tyre politike. Megjithatë, kanë vazhduar të jenë më të qëndrueshme në këtë Lëvizje. Aktivistja politike në Lëvizje rrallëherë ka pasur luksin që të merret vetëm me politikë. Shpesh ka dalë nga puna dhe ka shkuar në aktivitet. Ka qenë në terren tërë ditën dhe është përgjigjur telefonatave deri në mbrëmje”, tha ai.
Kurti iu drejtua grave se javët në vijim kërkojnë më shumë angazhim, organizim dhe këmbëngulje, duke vlerësuar rolin e grave në mbajtjen e organizatës sepse asnjë përparim nuk mbahet vetvetiu.
