Lajme

Haxhiu: Dyshimi për varrezë tjetër masive rikujton krimet e luftës

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh ushtruese e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, tha se dyshimet për një varrezë të dytë masive janë një rikujtim i rëndë i krimeve të kryera gjatë luftës dhe një dëshmi se drejtësia ende nuk është vënë plotësisht në vend.

“Shtrirja e sovranitetit dhe rendit kushtetues në çdo pjesë të Republikës së Kosovës nuk ka qenë vetëm obligim institucional, por edhe një parakusht për të mundësuar zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë, zbulimin e varrezave masive dhe kthimin e mbetjeve mortore të viktimave te familjet e tyre”, ka shkruar ajo në “Facebook”.

Ajo ka shprehur mirënjohjen dhe mbështetjen e plotë për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, ekipet profesionale, ekspertët mjekoligjorë dhe të gjithë ata që, me përkushtim e profesionalizëm, që po punojnë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë.

“Angazhimi i tyre është një shërbim i çmuar ndaj drejtësisë, së vërtetës dhe dinjitetit njerëzor. Çdo varrezë e zbuluar është një hap drejt së vërtetës, por edhe një dëshmi se plagët e luftës mbeten të hapura derisa të gjendet personi i fundit i zhdukur dhe përgjegjësit për këto krime të dalin para drejtësisë. Në këto momente, shprehim solidaritetin më të thellë me familjet e viktimave, të cilat për më shumë se dy dekada kanë pritur të dinë fatin e më të dashurve të tyre. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që e vërteta të zbardhet plotësisht dhe kujtesa për viktimat të nderohet me dinjitet”, tha Haxhiu.

Të Ngjashme