Lajme

Haxhiu i dërgon telegram ngushëllimi familjes Kryeziu: Kosova humbi një intelektual dhe veprimtar të shquar

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Kryeziu me rastin e vdekjes së Eqrem Kryeziut, ish-kryetarit të Prizrenit.

Në telegram, Haxhiu u shpreh se Kosova humbi një intelektual të shquar.

“Me vdekjen e tij, Kosova humbi një intelektual dhe veprimtar të shquar të një brezi që angazhimin për vendin e ndërtoi mbi dije dhe përgjegjësi”, thuhet në telegramin e U.D. Presidentes Haxhiu.

Ajo ka theksuar se Eqrem Kryeziu ishte, para së gjithash, profesor dhe njeri i letrave dhe se për më shumë se pesë dekada jeta e tij ishte e lidhur me librin, arsimin dhe dijen.

“Edhe në politikë mbeti njeri me mendim të vetin, i drejtpërdrejtë në fjalë, me ironi të hollë dhe me një mënyrë të veçantë të të shprehurit, për të cilën publiku e njohu dhe e mbajti mend”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, emri i Eqrem Kryeziut mbetet veçanërisht i lidhur me Prizrenin, ku për shumë vite ishte pjesë e jetës politike të qytetit dhe të cilin e udhëhoqi si kryetar në vitet e para të qeverisjes lokale të pasluftës.

“Kontributi i tij vazhdoi edhe në Kuvendin e Kosovës dhe në jetën politike të vendit, por figura e Eqrem Kryeziut nuk përmblidhet në funksionet që mbajti. Do të kujtohet si profesor, intelektual dhe veprimtar i shquar me individualitet të spikatur, që la gjurmë në jetën politike e kulturore të Kosovës”, thuhet në telegram.

Të Ngjashme