Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka shënuar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit duke shprehur mirënjohje për gazetarët dhe punonjësit e mediave që kontribuojnë në informimin e drejtë të publikut.
Ajo theksoi se në një kohë me ritëm të shpejtë të shpërndarjes së informacionit, bëhet gjithnjë e më sfiduese dallimi mes fakteve dhe interpretimeve.
Haxhiu nënvizoi se mediat profesionale dhe gazetarët e përkushtuar kanë rol kyç në ruajtjen e së vërtetës dhe në orientimin e qytetarëve, duke paralajmëruar se përzierja e lajmit me manipulimin dhe përhapja e gjysmë të vërtetave dëmton besimin publik dhe dobëson demokracinë.
Sipas saj, gazetaria me integritet mbetet një shtyllë e rëndësishme për funksionimin e një shoqërie demokratike.
“Hapësira publike ka nevojë për ndershmëri, për fakte, për verifikim dhe përgjegjësi. Këto janë vlera që e forcojnë besimin dhe e mbajnë të shëndetshme demokracinë tonë. Falënderoj të gjithë punonjësit e mediave që verifikojnë faktet, transmetojnë lajmet dhe i shërbejnë publikut me ndershmëri! Gazetaria me integritet është shërbim për qytetarët dhe për Republikën”, thuhet në postimin e saj.
