Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të Ditës Kombëtare të Zvicrës, ku ka vlerësuar marrëdhëniet dhe lidhjet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.
Në fjalën e saj, Haxhiu tha se gjatë viteve Kosova dhe Zvicra kanë ndërtuar marrëdhënie të forta, të mbështetura në miqësi, bashkëpunim dhe lidhjet e ngushta ndërmjet qytetarëve të dy vendeve.
Ajo theksoi se Zvicra është bërë pjesë e rëndësishme e jetës së shumë familjeve kosovare, pasi në këtë shtet jetojnë një numër i madh i qytetarëve nga Kosova.
“Kosova nuk e harron mbështetjen e Zvicrës në vitet më të vështira të historisë sonë”, tha Haxhiu.
Ajo vlerësoi gjithashtu kontributin e Zvicrës në zhvillimin e Kosovës, ndërtimin e institucioneve dhe përkrahjen e qytetarëve, duke theksuar se bashkëpunimi mes dy vendeve tashmë shtrihet në fusha të ndryshme.
Sipas Haxhiut, këto marrëdhënie përfshijnë politikën, sigurinë, arsimin, ekonominë dhe kulturën.
Në fjalën e saj, ajo veçoi edhe kontributin e komunitetit shqiptar nga Kosova në shoqërinë zvicerane. Si shembuj, Haxhiu përmendi sukseset në sport, veçanërisht në futboll, por edhe angazhimin e shqiptarëve në politikë, shkencë dhe fusha të tjera.
Ajo përmendi Ylfete Fanajn dhe Ardian Jusufin si shembuj të personave me prejardhje nga Kosova që janë bërë pjesë aktive e jetës dhe zhvillimit të Zvicrës.
Haxhiu tha se është krenare për këto histori suksesi dhe shprehu mirënjohje për rolin e Zvicrës ndaj qytetarëve të Kosovës.
“Popullit zviceran i urova paqe, mirëqenie dhe shëndet, ndërsa miqtë tanë zviceranë në Kosovë i falënderova për miqësinë dhe rolin e tyre të rëndësishëm në rrugëtimin e vendit tonë”, ka thënë Haxhiu.
