Lajme

Haxhiu në pritjen shtetërore me rastin e Ditës së Çlirimit: Liria e Kosovës është gëzim i përbashkët i mbarë kombit shqiptar

Nën patronatin e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, u mbajt pritja shtetërore, me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit, në të cilën përveç personaliteteve vendore, ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. 

U.D. Presidentja Haxhiu, në fjalën e saj para të pranishmëve tha se  njëzet e shtatë vjet më parë, më 12 qershor 1999, Kosova hyri në një epokë të re lirie. 

Pas një periudhe të gjatë shtypjeje dhe pas krimeve që nuk i harron asnjë brez, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe intervenimi i NATO-s detyruan makinerinë e dhunës serbe të tërhiqej përgjithmonë nga vendi ynë. Atë ditë mori fund okupimi dhe nisi rruga e Kosovës së lirë, që ndërton vetë të ardhmen e saj me dinjitet”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. 

Ajo më tej tha se kush e ka përjetuar atë qershor, e mban mend se si u kthye jeta në Kosovë. 

“Kolonat e gjata që muaj më parë largoheshin nga vendi, tani po ktheheshin drejt shtëpive. Njerëzit dilnin nëpër rrugë për të përqafuar njëri-tjetrin, për të kërkuar të afërmit dhe për të nisur jetën nga e para, mes shtëpive të djegura, por me kokën lart e me dinjitet. Ishte gëzimi më i madh i një populli, i përzier me dhimbjen më të thellë të tij”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. 

Sipas saj, ajo dhimbje nuk i përkiste vetëm një familjeje apo vetëm një brezi, ajo ishte e të gjithëve. 

“Sepse liria u fitua me gjakun e dëshmorëve dhe të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me sakrificën e familjeve që dhanë gjithçka, me sakrificën e Komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij, me vuajtjen e atyre që mbijetuan dhe me qëndresën e një populli të tërë që nuk u përkul as në ditët më të rënda e më të vështira. Dhe kjo rrugë nuk nisi në vitin 1998. Ajo kaloi nëpër ilegalen që e mbajti gjallë idealin e lirisë, ku për të paguhej me burg e me jetë. Nëpër rezistencën e Adem Demaçit, të cilin 28 vjet qeli nuk e thyen dot. Nëpër demonstratat e vitit 1981, që nisën nga studentët dhe u bënë zëri i një populli të tërë. Dhe, nëpër lëvizjen paqësore të viteve të ‘90-ta me Presidentin Ibrahim Rugova. Para të gjithë atyre përulemi sot me nderim të thellë”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. 

Ajo më tej ka thënë se krahas tyre kujtojmë edhe ata që lufta i plagosi në heshtje.

“Disa prej tyre i kemi edhe në mesin tonë. Të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës bartën një padrejtësi që nuk ishte e tyre, por e kryerësve të krimit. Republika i nderon dhe qëndron pranë tyre. Kujtojmë po ashtu gratë e luftës dhe të eksodit, luftëtaret e lirisë dhe nënat që mbajtën familjet gjallë në ditët më të vështira”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. 

U.D. Presidentja Haxhiu tha se liria jonë ka edhe miq që nuk i harrojmë edhe këta janë sot në mesin tonë.

“Falënderojmë Aleancën Veriatlantike dhe shtetet që intervenuan për të ndaluar gjenocidin e Serbisë në Kosovë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Falënderojmë Shqipërinë, e cila në vitin më të vështirë të popullit tonë hapi dyert, shtëpitë dhe zemrën e saj për qindra e mijëra të dëbuar. Prania e Presidentit të Shqipërisë, z. Bajram Begaj, sot këtu dëshmon atë që e dimë të gjithë: liria e Kosovës është gëzim i përbashkët i mbarë kombit shqiptar”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu

 U.D. Presidentja Haxhiu, në fund të fjalës së saj tha se institucionet e Republikës së Kosovës tani po punojnë me përkushtimin maksimal që ta kemi një shtet edhe më të fortë, edhe më të drejtë e edhe më të denjë.

Image

Të Ngjashme