Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka përkujtuar sot 28-vjetorin e rënies së Heroit të Kosovës, Ilir Konushevci, dhe doktorit Hazir Malaj, duke vlerësuar rolin dhe sakrificën e tyre në luftën për çlirimin e vendit.
Haxhiu theksoi se Konushevci ishte ndër veprimtarët e hershëm që iu bashkua rezistencës kundër regjimit serb që në fillim të viteve ’90, duke kontribuar në organizimin dhe forcimin e përpjekjeve për liri.
Ajo kujtoi se me rritjen e aktivitetit të UÇK-së, Konushevcit iu besua detyra e furnizimit me armë dhe municion, një mision që sipas saj kishte rëndësi jetike për zhvillimin e luftës. Haxhiu tha se ai kishte kaluar dhjetëra herë itinerarin Shqipëri–Kosovë, duke rrezikuar jetën për të siguruar mbështetje për luftëtarët e UÇK-së.
Duke folur për vrasjen e tyre më 9 maj 1998, Haxhiu kërkoi që rrethanat e ngjarjes të ndriçohen plotësisht, duke theksuar se drejtësia për ta mbetet obligim ndaj familjeve, bashkëluftëtarëve dhe Kosovës.
“I përjetshëm kujtimi për Ilir Konushevcin dhe Hazir Malaj”, përfundoi ajo në mesazhin e saj.
