Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka pritur dje një grup studentësh nga ETH Zürich, një nga universitetet më të njohura në botë, të cilët po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të një vizite edukative.
Gjatë takimit, Haxhiu ka diskutuar me studentët për zhvillimet në Kosovë, për demokracinë, proceset zgjedhore, institucionet shtetërore, si dhe për rolin e rinisë në zhvillimin e vendit.
Ajo ka theksuar se Kosova është një shtet i ri me popullsi të re, ku një pjesë e madhe e të rinjve flasin gjuhë të huaja, studiojnë dhe punojnë në fushën e teknologjisë, duke u lidhur çdo ditë me tregun global.
Sipas saj, ky potencial rinor e bën Kosovën atraktive për studentë, studiues dhe bashkëpunime ndërkombëtare në fusha si inovacioni dhe zhvillimi teknologjik.
Në fund të vizitës, Haxhiu u shpreh se shpreson që kjo përvojë t’u shërbejë studentëve si arsye për t’u rikthyer në Kosovë në të ardhmen, qoftë si studentë, studiues apo partnerë bashkëpunimi.
