Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se debatet se kush është më i miri për ta udhëhequr këtë parti, pa u hapur gara zgjedhore nuk i kontribuojnë demokracisë.
Haziri ka thënë se viti 2027 është vit zgjedhor i brendshëm në këtë parti, ku sipas tij misioni është rikthimi i besimit të qytetarëve dhe bashkimi i shqiptarëve.
“Misioni ynë duhet të arrihet deri në kthimin e besimit dhe bashkimin e shqiptarëve, duke qenë gjithmonë mirënjohës e falënderues për partnerët tanë, me vendosmërinë për marrëdhënie speciale me SHBA-të, me Evropën si shtëpi e përbashkët dhe NATO-n si aleanca e vetme. Pa e hapur garën zgjedhore e kalendarin në të gjitha nivelet, nuk i kontribuojmë demokracisë së saj nëse shkaktojmë debat se kush është më i miri për garën e brendshme. Secili që mundet, përmes shembullit personal të suksesit, kontributit e meritës, duhet të garantojë rikthimin e madh të LDK-së. Ai apo ajo le të ftohet nga votuesit për besim në garë”, ka shkruar Haziri në Facebook.
Kryetari i Prishtinës nga LDK, Përaprim Rama ka shprehur ambiciet për kryetar të kësaj partie./teve1.info/
