Lajme

Haziri: Gjithçka për Republikën, LDK nuk kërkon asgjë për vete

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës,  Lutfi Haziri ka reaguar ndaj zhvillimeve në sallën plenare të Kuvendit, duke kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për, siç ka thënë ai, shndërrimin e seancës në “zallamahi”.

Haziri ka deklaruar se salla plenare e Kuvendit nuk duhet të shndërrohet në hapësirë ku “vlojnë sharjet e thirrjet për vrasje”.

“Ne nuk duhet të ballafaqohemi me mërgimtarët, por me ata që e mbajnë derën e mbyllun për deputetë dhe me ata hapin dyer për sharje e thirrje për vrasje!”, ka shkruar Haziri.

Ai ka theksuar se LDK-ja, sipas tij, nuk kërkon poste apo përfitime politike, por vetëm një rol në proceset institucionale.

“Gjithçka për Republikën. LDK nuk kërkon asgjë pos rolit të saj shtetnor për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Presidentit e Qeverisë”, ka deklaruar ai.

Haziri ka rikujtuar gjithashtu qëndrimin e LDK-së kundër asaj që e quan “mendësi parti-shtet”, duke thënë se kjo qasje është rrënuar shumë kohë më parë.

“Kemi qenë përherë besë e shpresë për Republikën”, ka shkruar ai.

Sipas Hazirit, pas dy vitesh LDK-ja i është rikthyer pragmatizmit, të cilin ai e cilëson si një prej karakteristikave tradicionale të kësaj partie.

“Kur ofrohesh për bashkëpunim e nuk të pranohet, atëherë jemi shtyrë në shkaktim të proceseve të reja. Proceseve politike e jo zgjedhore”, ka përfunduar Haziri./teve1.info/

Të Ngjashme