Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri duke folur për mundësinë e zgjedhjeve të reja parlamentare, ka thënë se aktualisht gjasat janë 50/50.
Por, sipas tij, nëse partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje sjell skenarin e 28 dhjetorit, zgjedhjet do të jenë të pashmangshme.
“Sonte gjasat janë 50/50, nëse ende nuk ka skenar nga partia e parë të ofruar edhe si e sheh implementimin e zgjedhjeve, dhe nëse e repilkon skenarin e 28 dhjetorit, atëherë vendi duhet me u përgatit për zgjedhje në verën e vonshme, fatkeqësisht”, ka thënë Haziri në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ai ka thënë se LDK është duke punuar që kjo të mos ndodhë. Haziri ka thënë se këtë parti zgjedhjet mund të jetë më të dobishme, pasi ai ka thënë se LDK është në trend të ngritjes dhe se nuk do të ketë më rënie.
“Ne po punojmë me preventu, nuk jemi me kthyer verdiktin qytetar, nuk e meriton ky popull prapë mu ftua edhe për një garë. Në fund të fundit për neve mundet me dalë më mirë, trendi është pozitiv, kemi me shkuar përpjetë, të poshtë s’ka shanse, veç përpjetë. Ne jemi ofruar me vullnet politik me bashkëpunuar në frymën e rezultatit zgjedhor dhe duke ofruar modalitet real për me ndërtua bashkëpunim. Jemi të gatshëm me qëndruar në opozitë”, ka thënë Haziri.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se po pret certifikim e rezultateve të zgjedhjeve dhe pastaj do të nis bisedimet me partitë politike.
Ndërsa, kryetari i PDK-së javë më parë ka thënë se duhet marrëveshje politike para konstituimit të Kuvendit dhe votimit të Qeverisë.
