Lajme

Hoti: Ruajtja e kushtetutshmërisë është mbi çdo interes elektoral, çështja të dërgohet urgjentisht në Kushtetuese

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar lidhur me situatën institucionale në vend, duke kërkuar që çështja e moskonstituimit të Kuvendit të dërgohet urgjentisht në Gjykatën Kushtetuese.

Hoti ka deklaruar se ruajtja e kushtetutshmërisë duhet të jetë mbi çdo interes elektoral, ndërsa ka akuzuar partinë e parë në zgjedhje se, sipas tij, ka pamundësuar konstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues.

“Ruajtja e kushtetutshmërisë për mua është mbi çdo interes elektoral”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit prej 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve bie ndesh me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Hoti ka kritikuar edhe deputetët që, sipas tij, po e pamundësojnë konstituimin e Kuvendit, duke thënë se me këtë veprim po shkelet betimi i dhënë më 6 gusht për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.

Ai ka theksuar se edhe mosveprimi për adresimin e kësaj situate në Gjykatën Kushtetuese përbën, sipas tij, shkelje të betimit të deputetëve.

Deputeti i LDK-së ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të japë një zgjidhje për situatën, veçanërisht për rastin kur partia e parë në zgjedhje nuk e shfrytëzon të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Hoti ka ngritur shqetësime edhe për funksionimin e institucioneve të tjera të vendit. Ai ka thënë se Kosova aktualisht ka ushtrues detyre të Presidentit me mandat të kontestuar pas 6 gushtit, ndërsa kryeministri dhe ministrat në detyrë, sipas tij, po ushtrojnë detyrat në mënyrë të kundërligjshme pasi kanë dhënë betimin si deputetë.

“Por ruajtja e kushtetutshmërisë është para çdo interesi elektoral. Çështja duhet dërguar urgjentisht në Gjykatën Kushtetuese”, ka deklaruar Hoti./teve1.info/

Të Ngjashme