Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar lidhur me aksidentin tragjik në KEK, duke shprehur ngushëllime për familjen e punëtorit që humbi jetën dhe duke kërkuar që rasti të trajtohet mbi bazën e fakteve dhe ligjit.
Hoti ka kritikuar reagimet politike pas aksidentit, duke thënë se tragjedi të tilla nuk duhet të përdoren si mjet për sulme politike apo për akuza ndaj institucioneve pa u verifikuar paraprakisht shkaqet dhe kompetencat ligjore.
“Para së gjithash, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së punëtorit që humbi jetën, familjeve të punëtorëve të tjerë që kanë humbur jetën në vendin e punës, si dhe kolegëve të tyre”, ka deklaruar Hoti.
Ai ka sqaruar se aksidentet fatale të 8 korrikut, 16 gushtit dhe 20 gushtit kanë ndodhur në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit, në kuadër të veprimtarisë minerare.
Sipas Hotit, bazuar në legjislacionin në fuqi, mbikëqyrja e sigurisë në punë dhe hetimi i aksidenteve në veprimtarinë minerare janë kompetencë e Inspektoratit të Minierave, në kuadër të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), dhe jo e Inspektoratit Qendror të Punës.
“Ne nuk i ikim asnjë përgjegjësie që na takon me ligj. Por, po aq e rëndësishme është që përgjegjësia të përcaktohet mbi bazën e fakteve dhe ligjit, dhe jo sipas nevojës së një deklarate politike”, tha ai.
Ministri në detyrë ka bërë të ditur se Inspektorati Qendror i Punës, pas pranimit të informatës për aksidentin e fundit, ka angazhuar inspektorët dhe ka dalë në vendin e ngjarjes. Pas inspektimit, sipas tij, është konstatuar se aksidenti ka ndodhur në territorin e një miniere të licencuar nga KPMM-ja dhe se trajtimi i rastit bie në kompetencën e Inspektoratit të Minierave.
Hoti ka deklaruar gjithashtu se gjatë katër muajve të fundit janë intensifikuar kontrollet në vendet e punës, me fokus të veçantë në sektorët me rrezik të lartë. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë ndaluar punimet në mbi 180 vendpunishte.
“Tragjeditë kërkojnë përgjegjësi, jo përfitim politik”, ka përfunduar Hoti./teve1.info/
