Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Enver Hoxhaj, ka shënuar Ditën e Lirisë me një mesazh përkujtues për sakrificën e luftëtarëve të UÇK-së dhe me një mesazh shprese për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Në një postim në Facebook, Hoxhaj tha se Dita e Lirisë është ditë nderimi për heronjtë, dëshmorët dhe të gjithë ata që kontribuuan për çlirimin e Kosovës.
“Sot, në Ditën e Lirisë, përulemi me respekt para të gjithë atyre që sakrifikuan gjithçka që Kosova të jetojë e lirë. Lavdi heronjve, dëshmorëve, nderim luftëtarëve të UÇK-së dhe mirënjohje brezit që e bëri të mundur këtë ditë”, ka shkruar ai.
Hoxhaj ka theksuar se këtë vit kjo ditë po shoqërohet me një ndjenjë të veçantë optimizmi për kthimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së në Kosovë.
“E këtë vit, Dita e Lirisë vjen me një ndjenjë të veçantë shprese. Pas një rruge të gjatë e të vështirë, jemi më pranë se kurrë ditës kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi do t’u kthehen familjeve, miqve dhe Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas Hoxhajt, liria dhe e vërteta janë të pandashme nga sakrifica e atyre që luftuan për Kosovën.
“Liria ka kuptim vetëm kur triumfon e vërteta. Dhe e vërteta e Kosovës është e shkruar në sakrificën e bijve të saj”, ka përfunduar ai.
