Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar me një mesazh drejtuar qytetarëve, votuesve dhe simpatizantëve të LDK-së, duke theksuar përkushtimin e saj të vazhdueshëm ndaj partisë dhe kauzave që, sipas saj, e tejkalojnë interesin personal.
Bajrami ka bërë të ditur se është pjesë e listës zgjedhore të LDK-së, duke theksuar se për të kjo parti mbetet një projekt i madh politik dhe institucional, më i rëndësishëm se çdo individ apo rrethanë politike.
“Jam pjesë e listës së LDK-së, sepse LDK-ja është më e madhe se çdo individ, më e madhe se çdo rrethanë dhe më e madhe se ata që vijnë e shkojnë,” ka deklaruar ajo.
Ajo ka kujtuar edhe rrugëtimin e saj të gjatë politik, duke theksuar se është zgjedhur deputete shtatë herë dhe se qëndrimi i saj në politikë ka qenë gjithmonë i lidhur me LDK-në.
Postim i plotë:
Të nderuar qytetarë, votues dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Jam pjesë e listës së LDK-së, sepse LDK-ja është më e madhe se çdo individ, më e madhe se çdo rrethanë dhe më e madhe se ata që vijnë e shkojnë.
Prej se jam në politikë, e zgjedhur deputete shtatë herë, kam qenë, jam dhe do të jem në LDK. Kam qenë këtu në ditë të mira e në ditë të vështira. Nuk e kam braktisur LDK-në për interesa personale dhe nuk e kam parë asnjëherë si stacion të përkohshëm politik.
Nga zyra e LDK-së me është kumtuar se në listë unë jam me numër 12, pas njerëzve që deri dje e kanë luftuar LDK-në, por kjo për mua personalisht s’paraqet asnjë problem, sepse beteja ime nuk është për renditje as për fitore personale.
Beteja ime është për një Kosovë që nuk i nënshtrohet arrogancës së pushtetit; për politikën që i shërben qytetarit e jo interesave personale; për demokracinë që nuk tkurret; për qytetarin që kërkon llogari nga qeveria; për biznesin që nuk pengohet nga politika dhe për institucione që nuk kapen nga partitë.
Kauza ime është Kosova shtet i fortë dhe këtë kauzë mund ta çojë përpara vetëm LDK-ja, me njerëzit e saj, LDK-ja që i mbron parimet e veta dhe nuk harron pse ekziston.
Të nderuar qytetarë, votues dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Lista e LDK-së ka 110 kandidatë. Në mesin e tyre, secili prej jush mund t’i gjejë me lehtësi 10 personalitete, të denjë për t’ju përfaqësuar. Andaj, analizojeni listën dhe më 7 qershor votoni me bindje – votoni LDK!
