Vjosa Osmani ka filluar fushatën e saj duke përdorur emrin e Kurtit për të fituar poena tek qytetarët e vendit.
Ajo së fundmi edhe në “Tubimin e Bashkimit” ka mbajtur një nga fjalimet më të ashpra politike ndaj Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke i akuzuar për centralizim të pushtetit, arrogancë institucionale dhe përçarje politike.
Osmani ka aluduar se Vetëvendosje është larguar nga parimet me të cilat erdhi në pushtet dhe se klima politike në vend është rënduar nga gjuha përçarëse, sulmet ndaj kundërshtarëve dhe presioni ndaj mendimit ndryshe.
Ajo ka shprehur zhgënjim për mënyrën e ushtrimit të pushtetit, duke theksuar se qytetarët kanë pritur një standard tjetër qeverisjeje dhe më shumë përgjegjësi demokratike.
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar Enver Bytyçi.

Enver Bytyçi
Profesori thotë se Vjosa Osmani është larguar nga raporti politik me Albin Kurtin me mllef dhe zhgënjim, pasi nuk iu mundësua një mandat i dytë si presidente, dhe se tani po e sulmon publikisht në mënyrë të ashpër.
Sipas tij, edhe kur liderët politikë ndahen apo kanë përplasje mes vete, ata zakonisht ruajnë një lloj ekuilibri dhe nuk i nxjerrin të gjitha konfliktet në publik, ndërsa Osmani po e tejkalon këtë kufi me kritikat e saj ndaj Kurtit.
“Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u largua nga marrëdhënia miqësore dhe institucionale me Albin Kurtin pa përshëndetjen e lamtumirës. Iku nga aty duke turfulluar, sikur për të ishte përmbysur qielli pse asaj nuk iu mundësua edhe një mandat i dytë në postin e kryetares së shtetit. Largimi i saj ishte një ikje në dëshprim dhe krejt pa arsye, sepse nëse një mazhorancë e caktuar ta dha mundësinë të ishe për pesë vite në krye të shtetit, kjo përbën për çdokënd në botë një ndjenjë kënaqësie e lumturie të papërshkruar. Por Vjosa bëri të kundërtën e asaj që do ta bënte edhe vetë Zoti. U zemërua! Dhe tani po hakmerret në mënyrën më të pazakontë.
Unë di plot politikanë dhe liderë, të cilët janë divorcuar në udhëtimin e tyre politik. Por nuk kanë shkuar deri në atë pikë sa të thonë ato që Vjosa thotë kundër Albin Kurtit. Është Arben Ahmeti ai që ka folur për ish-shefin e tij, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën. Megjithatë nuk ka të krahasuar me këtë që po bën zonja Osmani. Foltoret e saj i ka kthyer në një lloj “gijotine” politike kundër Kurtit. A ka çfarë të thonë këta të dy kundër njëri-tjetrit? Sigurisht, sepse në lidershipin politik bëhen shumë veprime politike, të cilat qëndrojnë larg syrit të publikut. Kështu ndodh me të gjithë liderët në botë. P.sh. Trump dhe Xi Jinping janë kundërshtarë të njohur. Ata qëndruan dhe folën me orë të tëra para tri ditësh në Pekin. Por në përfundim thanë më pak se 1 për qind të asaj që është thënë në katër sy. Këto janë praktika të njohura. Çfarë do të ndodhte sikur palët t’i thonin të gjitha në publik?! Nuk do të kishte më ekuilibër marrëdhëniesh”, u shpreh ai.
Vjosa Osmani po e sulmon Albin Kurtin për takime dhe veprime politike që sipas tij janë normale në procesin e dialogut
Duke vazhduar bisedën profesori thekson se Vjosa Osmani po e sulmon Albin Kurtin për takime dhe veprime politike që sipas tij janë normale në procesin e dialogut, ndërsa më herët nuk kishte reaguar ndaj takimeve të fshehta mes Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit.
Gjithashtu thekson që, pavarësisht kritikave, Kurti ka forcuar sovranitetin e Kosovës në veri dhe ka marrë vendime në interes të shtetit, ndërsa akuzat ndaj tij po i cilëson si fushatë politike e nxitur edhe nga Vjosa Osmani.
“Vjosa Osmani, nga inatet dhe dëshprimi i pamotivuar, i ka prishur të gjitha ekuilibrat. P.sh. sot, kur e ka lënë zyrën e presidentes, kërkon të dijë se çfarë paska diskutuar Albin Kurti në një zyrë në Bruksel vetëm për vetëm me Aleksandër Vuçiqin dhe Miroslav Lajçakun?! Por ama nuk kërkoi asnjëherë të dijë se çfarë kishte biseduar Hashim Thaçi me Aleksandër Vuçiqin në shumë e shumë takime sekrete, jo në prani të përfaqësuesve të Brukselit, por vetëm për vetëm dhe jo në Bruksel, por në Itali, Austri e vende të tjera, takime të cilat i ka denoncuar ish-ambasadorja Lama. Ato takime sekrete të dy liderëve, Thaçi e Vuçiq, duheshin zbardhur. Këtë duhej ta bënte Vjosa Osmani. Por jo. Këtë ngjarje e anashkaloi edhe pse kishte për detyrë, si presidente, ta ndriçonte për të mirën e Kosovës.
Tani i është përveshur Kurtit, i cili me siguri, nën presionin e Brukselit, mund ta ketë takuar Vuçiqin në kuadër të bisedimeve në Bruksel pa dhënë njoftim publik. Ndërkohë qytetarët po thonë: “Ne e dimë se çfarë ka diskutuar Kurti me Vuçiqin në atë takim”. E kemi mësuar, thonë ata, nga ngjarjet që ndodhën në Kosovë. E pamë kur Kurti mbylli të gjitha institucionet paralele të Serbisë në vendin tonë. Kur vendosi rend, ligjshmëri dhe sovranitet në veri të vendit. Kur me Policinë e Kosovës korri suksesin më të madh historik të vendit në asgjësimin e bandës terroriste të Banjskës. Kur ndërtoi dy ura të mrekullueshme mbi lumin Ibër. Kur vendosi kontroll në kufijtë e Kosovës. Kur e detyroi Vuçiqin të njohë targat dhe dokumentet e Kosovës. Kur nuk e pranoi asnjëherë presidentin serb të vinte në Kosovë. E akuzojnë Kurtin se paska bërë tradhti kur i dha pronën Manastirit të Deçanit. Kjo akuzë ka filluar të thuhet për herë të parë pasi Vjosa ka filluar fushatën kundër kryeministrit. Ia kam thënë zonjës Osmani më 20 tetor 2022 se “Ju jeni të detyruar që pronën t’ia jepni Manastirit të Deçanit, sepse për këtë ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese”. Dhe natyrshëm, kur e arsyeton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin, ti do të jesh i detyruar ta zbatosh edhe atë vendim, i cili nuk të konvenon ty. Por në fund të fundit Manastiri i Deçanit është edhe Manastiri i Kosovës, nuk është i Serbisë. Megjithatë propaganda e tipit Lushtaku kundër Kurtit është tashmë shndërruar edhe si propagandë e Osmanit kundër kryeministrit”, shtoi profesori.
Vjosa Osmani nuk ka kauzë më
Në fund, profesori thotë se Vjosa Osmani, me sulmet e saj ndaj Albin Kurtit, ka kaluar edhe kufijtë e kritikave që bëjnë kundërshtarët më të ashpër politikë të Vetëvendosjes dhe se kjo po e dëmton politikisht vetë atë.
Sipas tij, Osmani ka humbur kauzën që e solli në pushtet, sepse tani po afrohet me figurat dhe grupet politike kundër të cilave dikur kishte ndërtuar identitetin e saj politik.
“Është një kapërcim i madh në këto akuza. Është madje një tejkalim përtej pozicioneve të Ramush Haradinajt dhe Sami Lushtakut. Kjo do të thotë se Vjosa Osmanit i “ka humbur rruga në oborrin e shtëpisë së saj”! Dhe qytetarët sigurisht që e shohin këtë devijim të shkaktuar nga demenca politike. Dhe për këtë arsye nuk besoj se ish-presidentja do të ketë sukses në aksionin e saj politik. Nuk do t’i shtojë vota Lidhjes Demokratike. Kurse Sami Lushtaku do t’ia pakësojë votat Partisë Demokratike. Ndërkohë Vjosa është kandidate për presidente në LDK. Me këto veprime jo vetëm nuk do të ketë mbështetje popullore, por do ta harrojë për gjithë jetën ngritjen e saj për së dyti në detyrën e kreut të shtetit. Kreu i shtetit nuk duhet të jetë hakmarrës, inatçor dhe nuk duhet të spekulojë me respektin që dikur një politikan ka pasur për shkak të qëndrimeve të drejta.
Vjosa Osmani nuk ka kauzë më. Ka humbur edhe kauzat e mëparshme, sepse u bashkua me ata me të cilët ishte shkëputur për arsye të një kauze të caktuar. Ajo u mbështet e mori vota për shkak të kundërshtive ndaj Hashim Thaçit e politikave të tij. Tani është bërë një me Thaçin, aq sa Edi Rama e reklamoi në Prishtinë më 16 shkurt, plot para tre muajsh, si besnike të paraardhësit të saj”, përfundoi profesori Bytyçi për “Bota sot”.
