Lajme

I përmendur mbi 2 mijë herë në dosje, gjendet i vdekur rekrutuesi i modës që i siguronte femra Epsteinit

Një skaut francez mode, i akuzuar se siguronte gra për Jeffrey Epstein, është gjetur i vdekur në banesën e tij, sipas raportimeve.

Daniel Siad – emri i të cilit përmendet më shumë se 2 mijë herë në dosjet e Departamentit Amerikan të Drejtësisë lidhur me Jeffrey Epstein – u gjet i pajetë të hënën në shtëpinë e tij në Colombes, në perëndim të Parisit, thanë prokurorët, sipas Agence France-Presse (AFP).

Shkaku i vdekjes mbetet ende i paqartë dhe pritet të përcaktohet pas autopsisë.

Siad ishte nën hetim në Francë për akuzat se kishte ndihmuar Jeffrey Epstein në trafikimin dhe abuzimin e grave. Ai i kishte mohuar vazhdimisht akuzat, duke pretenduar se nuk e dinte që pedofili i dënuar “ishte i rrezikshëm”.

Siad dhe Epstein komunikuan për rreth 10 vjet, ndërsa korrespondenca e tyre e fundit u zhvillua pak përpara vetëvrasjes së financierit në vitin 2019, në një burg në Manhattan.

Në email-et e përfshira në dosjet Epstein, Siad mburrej për gratë që kishte gjetur.

“Përshëndetje Jeffrey, sapo gjeta një të jashtëzakonshme. Është 20 vjeçe, por duket më e re, nga Letonia”, shkroi ai në një email të qershorit 2009, një vit pasi Epstein ishte deklaruar fajtor në Florida për nxitje prostitucioni.

Në një email të korrikut 2014, Siad dukej se e krahasonte rekrutimin e grave me peshkimin.

“Në këtë punë ndihem si peshkatar; ndonjëherë kap shpejt, ndonjëherë nuk ka peshk”, thuhet se i shkroi ai Epsteinit.

Në atë shkëmbim mesazhesh, Siad shprehte pakënaqësinë që Epstein kishte anuluar një takim.

“Sigurisht që do t’ju rimbursoj çdo shpenzim. E vlerësoj miqësinë tuaj dhe shpresoj që kjo të mos ju ketë shkaktuar shumë telashe”, iu përgjigj Epstein.

Megjithatë, Siad gjithmonë mohoi çdo shkelje në lidhje me Epsteinin.

Në shkurt, ai deklaroi për televizionin francez se Epstein “kishte abuzuar me besimin tim” dhe pretendoi se nuk kishte qenë “në pozicion për të ditur se ky njeri ishte i rrezikshëm”.

“Nuk kam asgjë për t’i vënë faj vetes”, tha ai në një video të publikuar në internet.

Siad u përpoq ta paraqiste veten si “nga Kabilia (një rajon i Algjerisë), i lindur francez dhe shtetas suedez”.

Megjithatë, ai u akuzua nga dy gra se i kishte përgatitur ato për t’ia prezantuar Epsteinit. Në shkurt, ish-modelja suedeze Ebba Karlsson e akuzoi Siadin se e kishte përdhunuar kur ajo ishte 20 vjeçe dhe se e kishte përgatitur për Gerald Marie, ish-drejtorin e agjencisë së modës Elite. Siad dhe Marie i mohuan akuzat.

Në maj, një modele e identifikuar vetëm me emrin Juliette tha se ishte manipuluar nga Siad në vitin 2004, kur ishte 21 vjeçe. Ajo pretendoi se Siad e pyeti nëse ishte modele dhe nëse kishte ambicie të transferohej në Shtetet e Bashkuara.

“Mendoj se ai po përpiqej të kuptonte nëse do ta pranoja pa bërë shumë pyetje. Dhe pikërisht kështu veprova – i lashë gjërat të mbeteshin të paqarta që të mos dukesha e vështirë”, tha ajo për AFP.

Juliette tregoi se iu dërgua një biletë avioni për në Nju Jork dhe, pasi mbërriti, shkoi në Madison Avenue.

Atje u takua me Epsteinin, i cili, sipas saj, i kërkoi pasaportën – një veprim që ajo e krahasoi me “marrjen peng”.

Ajo tha se Epstein i tha se nuk mund ta takonte në atë moment, por i dha 120 dollarë dhe i ofroi limuzinën e tij për të shkuar për pazar.

Një ditë më pas, ajo u kthye në ndërtesën në Madison Avenue duke shpresuar për një intervistë pune, por tha se iu bë një tur në ambientet e godinës, ku pa “fotografi që fokusoheshin në pjesë intime të trupit të grave”.

“Alarmi im i brendshëm u ndez”, tha ajo pasi u shoqërua drejt një dhome gjumi.

Sipas pretendimeve të saj, Epstein e preku në mënyrë të papërshtatshme dhe më pas i ofroi një punë si shoqëruese në festa. Juliette tha se kërkoi menjëherë pasaportën e saj dhe u largua nga Nju Jorku.

Stan Pottinger, avokat i viktimave të Epsteinit, deklaroi në vitin 2016 se kishte biseduar me Siadin, “të cilin Jean-Luc Brunel – një skaut mode dhe bashkëpunëtor i kahershëm i Epsteinit, i gjetur i vdekur në vitin 2022 – e përshkruante si një ‘skaut’ ose rekrutues vajzash dhe/ose grash për Jeffrey Epsteinin.”

Të Ngjashme