Lajme

“I ra derës për 17 minuta…” – Neda Balluku përlot rrjetin me rrëfim për një nënë që kërkon të shohë fëmijën

Neda Balluku ka ndarë një tjetër shkrim prekës në Instagram, këtë herë duke rrëfyer historinë e një nëne që përpiqet të takojë fëmijën e saj, pasi mëson se ai është sëmurë. Postimi vjen pas disa deklaratave publike lidhur me vështirësitë për të takuar dy djemtë, në vijim të ndarjes nga Ogren Balluku.

Neda zgjedh të shkruajë në vetën e tretë, pa përmendur emra dhe pa e identifikuar drejtpërdrejt historinë si një përvojë personale.

“Një nënë sot, i ra një dere për shtatëmbëdhjetë minuta për të parë të voglin e saj”, nis shkrimin ajo, duke përshkruar përpjekjet e përsëritura të nënës për të parë të birin.

Sipas rrëfimit, pasi merr vesh se fëmija është sëmurë, nëna shkon herët në mëngjes dhe troket në derë, por i thuhet se i vogli po fle. Ajo kthehet përsëri në mesditë dhe më pas në mbrëmje, kur mëson se fëmija nuk ndodhet aty.

Përpjekja e fundit zgjat shtatëmbëdhjetë minuta. Nëna vazhdon të trokasë dhe të thërrasë emrin e të birit, me shpresën se ai do ta dëgjojë.

“Dhe i ra derës për shtatëmbëdhjetë minuta pa ndalur. Por të voglin s’e pa dot”, shkruan Balluku.

Në fund të historisë, një tjetër fëmijë i hap derën nënës. Neda e përshkruan këtë moment me fjalët: “Duke e refuzuar në sy si burrë. Por duke i hapur derën si fëmijë.”

Megjithëse nuk sqaron identitetin e personazheve, shkrimi merr një kuptim të veçantë në kontekstin e deklaratave të mëparshme të Nedës për marrëdhënien me fëmijët pas ndarjes.

Në nëntor 2025, gjatë një interviste në “Goca dhe Gra”, ajo konfirmoi se kishte kërkuar divorcin nga Ogren Balluku, me të cilin ka tre fëmijë. Neda u shpreh se marrëdhënia mes tyre kishte qenë prej vitesh e vështirë, duke theksuar se dëshironte ta menaxhonte situatën me privatësi për hir të fëmijëve.

Në janar 2026, mosmarrëveshjet mes ish-çiftit u bënë objekt procedurash gjyqësore. Sipas raportimeve, Gjykata e Tiranës lëshoi një urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje në favor të Nedës, ndërsa rrëzoi një kërkesë të mëvonshme të Ogren Ballukut për të njëjtën masë. Gjatë procesit, të dyja palët paraqitën pretendime ndaj njëra-tjetrës, ndërsa Neda deklaroi se ishte penguar të takonte djemtë e saj.

Por çfarë dihet për kujdestarinë dhe takimet me fëmijët? Sipas raportimeve, dy djemtë jetojnë me Ogren Ballukun, ndërsa vajza me Nedën.

Në tetor, në një shkrim në Instagram, ajo tregoi se dy djemtë do të kishin gjithmonë dhomën e tyre në shtëpinë ku jetonte me vajzën, pavarësisht se kur do të vendosnin të vinin. Postimi i fundit vijon të njëjtën temë të mungesës dhe pritjes.

Shkrimi i plotë:

“Një nënë sot, i ra një dere për shtatëmbëdhjetë minuta për të parë të voglin e saj. Shtatëmbëdhjetë minuta janë më shumë se trembëdhjetë mijë rrahje zemre, por se sa trokitje dere nuk i numëronte dot. Nuk mundte sepse në çdo trokitje thërriste emrin e të voglit të saj.

Një harabel anonim i kishte treguar se i vogli i saj ishte sëmurë. Atëherë ajo kur lindi dielli shkoi t’i trokiste derës, por i thanë se i vogli po flinte.

Kur në drekë dielli luftonte të ftohtin, shkoi sërish për të lënë rrahje të tjera zemre poshtë një citofoni. Por të voglin nuk e pa dot.

Atëherë nëna kur po afronte mbrëmja, shkoi edhe një herë për ta kërkuar. Por i vogli nuk ishte aty. Dhe në fund mendoi se tashmë nata kishte mbërritur. Yjet janë në qiej edhe pse ajo s’i shihte.

Dhe i ra derës për shtatëmbëdhjetë minuta pa ndalur.

Por të voglin s’e pa dot.

E kishin futur në kafaz.

Trembëdhjetë mijë rrahje zemre thërrisnin emrin e të voglit me shpresën se zëri i saj do të mundte muret dhe do t’i shkonin të voglit tek veshi i zemrës.

Përtej derës i vogli e kishte çuar zemrën në gjumë.

Ndërsa të rriturit përtej derës, zemrën e kanë vrarë. Nëse zemër kanë patur ndonjëherë.

Përtej derës një i vogël tjetër i rezistonte nënës.

Duke e refuzuar në sy si burrë.

Por duke i hapur derën si fëmijë.”

Të Ngjashme