Kuriozitete

Bulqizë/ Nënë e bir dalin para gjykatës për vrasjen e kryefamiljarit: E sulmoi ariu, më pas qëlloi veten. Gjykata i lë në burg

Nënë e bir, Sadete dhe Gazmir Fiku, janë paraqitur përpara togave të zeza për t’u njohur me masën e sigurisë, pasi akuzohen për vrasjen e kryefamiljarit Urim Fiku, 61 vjeç, përkatësisht bashkëshortit dhe babait, ngjarje e rëndë kjo e ndodhur në fshatin Godvi të Bulqizës.

Në përfundim të seancës gjyqësore, pasi dëgjoi pretendimet e palëve, gjykata vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg” për të dy të akuzuarit.

Gjatë seancës, të dy të dyshuarit kanë mohuar përfshirjen në vrasje, duke i qëndruar versionit të dhënë që në deklarimet e tyre fillestare.

Sipas pretendimeve të tyre, 61-vjeçari është sulmuar nga një ari në pyll dhe është kthyer në banesë me dëmtime të rënda fizike dhe i gjakosur.

Nënë e bir deklaruan se pas sulmit nga kafsha e egër, viktima ka hyrë në shtëpi, ka marrë pistoletën dhe ka qëlluar veten në gjoks, moment në të cilin bashkëshortja ka njoftuar menjëherë shërbimin e urgjencës.

Nga ana e tij, i biri, Gazmir Fiku, ka pretenduar alibi për kohën e ngjarjes, duke deklaruar se nuk ndodhej në banesë pasi ishte në detyrë pranë zyrave të OSHEE-së në Bulqizë.

Gjatë dëshmisë, ata kanë shtuar gjithashtu se viktima vendoste shpesh leqe në pyll për kapjen e kafshëve të egra, kryesisht derrave të egër, çka sipas tyre mund të ketë nxitur edhe sulmin e ariut.

Me gjithë pretendimet e familjarëve, grupi hetimor pret rezultatet e ekspertimeve të mjekësisë ligjore dhe akt-ekspertimet e Policisë Shkencore, të cilat konsiderohen vendimtare për të përcaktuar  dinamikën e ngjarjes.

/rtsh.al/

Të Ngjashme