Lajme

I refuzohet kërkesa e Isufajt për pezullimin e konkursit për Kryeprokuror

Gjykata Administrative ka refuzuar kërkesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, për caktimin e masës së sigurisë me të cilën synohej pezullimi i konkursit për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit deri në përfundimin e konfliktit administrativ të iniciuar kundër Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

“Gjykata Administrative-Departamenti i Përgjithshëm, me aktvendimin AP.nr.90/2026 të datës 05.06.2026, ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e paditësit B.I., me të cilën ishte kërkuar caktimi i masës së sigurisë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës KPK.nr.268/2026 i datës 18.05.2026 për shpalljen e konkursit publik për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, deri në vendosjen përfundimtare në konfliktin administrativ“, thuhet në njoftim.

Gjykata ka vlerësuar se paditësi nuk ka arritur të dëshmojë ekzistimin e rrezikut për shkaktimin e një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm, si kusht për caktimin e masës së sigurisë.

Po ashtu, është konstatuar se vendimi i kontestuar ka të bëjë me hapjen e procedurës së konkursit publik dhe nuk përbën vendim përfundimtar për përzgjedhjen apo emërimin e ndonjë kandidati.

“Në vendimmarrje është marrë parasysh edhe interesi publik që lidhet me funksionimin e rregullt dhe efektiv të sistemit prokurorial, duke vlerësuar se pezullimi i procedurës së konkursit në këtë fazë nuk është i arsyeshëm. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 7 (shtatë) ditësh nga dita e pranimit të tij, në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Të Ngjashme