Hetimet për publikimin e videove intime ku shfaqet kompozitori Adrian Hila vijojnë, ndërsa Policia ka marrë deklarimin edhe të këngëtarit Genti Hoxha, i cili shfaqet në një prej materialeve të publikuara në rrjet.
Hoxha është kontaktuar nga hetuesit dhe ka folur për raportin e tij me kompozitorin. Sipas dëshmisë së raportuar, ai ka deklaruar se marrëdhënia me Hilën ka qenë konsensuale dhe se ka nisur pasi kishte mbushur moshën madhore.
Dëshmia e tij është administruar në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për të përcaktuar se si materialet private janë regjistruar, siguruar dhe më pas shpërndarë në internet.
Për të njëjtën çështje është paraqitur në Polici edhe këngëtarja nga Kosova, Blerina Matraku. Ajo ka depozituar një denoncim dhe ka identifikuar personin që dyshon se qëndron pas shpërndarjes së videove.
Matraku ka përjashtuar Adrian Hilën si personin që, sipas saj, ka nxjerrë materialet, ndërsa publikisht është shprehur se përgjegjësia duhet të kërkohet te personi që ka regjistruar dhe shpërndarë pa leje pamjet intime. Ajo ka mohuar gjithashtu pretendimet se ka kërcënuar persona të përfshirë në këtë çështje.
Policia po verifikon dëshmitë e personave që shfaqen në materialet e publikuara dhe po heton për të përcaktuar se kush ka pasur akses në pamje dhe si ato kanë përfunduar në rrjet.
