Lajme

I shpallur në kërkim pas vrasjes së turistit portugez në Ksamil, Policia operacion të gjerë për kapjen e David Heurtevent

Policia po zhvillon një operacion të gjerë për kapjen e një nga personave të shpallur në kërkim në lidhje me vrasjen e turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes dy ditë më parë në Ksamil.

Operacioni po zhvillohet në disa zona të Tiranës dhe Vlorë, ku dyshohet se fshihet Daniel Gjana allias David Heurteven, i shpallur në kërkim.

Sipas dinamikës së zbardhur nga autoritetet, përplasja ka nisur në ambientet e lokalit “Principote”, ku Heurtevent dyshohet se është konfliktuar i pari me turistin portugez. Pas goditjeve të para, në përleshje janë përfshirë edhe disa pjesëtarë të stafit të lokalit, të cilët dyshohet se kanë goditur 20-vjeçarin.

Situata më pas ka agravuar, ndërsa sipas policisë, Sokrat Vata, 29 vjeç, dyshohet se ka ndërhyrë në konflikt dhe e ka goditur disa herë me thikë turistin portugez. Plagët e marra rezultuan fatale për 20-vjeçarin.

Për ngjarjen, policia ka arrestuar Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, i dyshuar si autori i goditjeve me thikë, ndërsa David Heurtevent është shpallur në kërkim. Të dy dyshohen për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Në kuadër të hetimeve janë arrestuar edhe disa persona të tjerë, mes tyre punonjës të lokalit “Principote”, të dyshuar se janë përfshirë në përleshje ose nuk kanë njoftuar autoritetet pas ngjarjes. Hetimet vijojnë për të dokumentuar të gjitha rrethanat dhe rolin e secilit person në konfliktin që përfundoi me vdekjen e turistit portugez.

Shokët e viktimës kanë deklaruar se nuk e kanë parë momentin kur 20-vjeçari portugez është goditur me thikë. Ata kanë treguar se janë përballur me policinë në mëngjes dhe, në hyrje të beach barit, shumë pranë bregut të detit, kanë parë trupin e pajetë të shokut të tyre.

Sipas dëshmive të tyre, deri në atë moment nuk kishin dijeni se çfarë kishte ndodhur me 20-vjeçarin. 29-vjeçari nuk ka dhënë asnjë shpjegim dhe nuk ka thënë asnjë fjalë për konfliktin, goditjen me thikë apo momentet pas ngjarjes.

Të Ngjashme