Lajme

Idrizi: Lumi në Studime do të emërtohet ‘Lumi i Gjakut’ sepse u la me gjakun e të rënëve

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka përkujtuar 116 civilët shqiptarë të vrarë në masakrën e Studimes të këtij qyteti.

Në fjalën e tij, kreu i Vushtrrisë tha se në të ardhmen, lumi i fshatit Studime do të quhet “Lumi i Gjakut”, sepse, siç u shpreh Idrizi, ai u la me gjakun e të rënëve.

“Faleminderit shumë që keni gjetur kohën në këtë ditë dhimbjeje, në këtë ditë përkujtimi, për t’i përkujtuar 116 martirët e Studimes, të cilët u vranë e u masakruan në këtë vend, në këtë lumë që do të jetë si emërtim në të ardhmen ‘Lumi i Gjakut’, sepse u la me gjakun e bijve dhe bijave tona, u la me gjakun e fëmijëve, grave, burrave, pleqve të të gjitha moshave”.

“Ishin të gjithë të pambrojtur, ishin të gjithë të pafajshëm, u masakruan vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë. Sot kur po e përkujtojmë këtë dhimbje të madhe kombëtare këtu dhe në të gjitha pjesët e Kosovës, që ky gjak u bë liria e Kosovës, u bë pavarësia e Kosovës, ende kriminelët nuk janë nxjerrë para drejtësisë”, deklaroi Idrizi.

Kryetari i Vushtrrisë me këtë rast kujtoi edhe ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Gjykatën Speciale të Hagës, duke thënë se është absurd në vete që kriminelët serbë nuk u gjykuan, e në të njëjtën kohë po gjykohen çlirimtarët.

“Për absurdin e kohës, nëpër gjykata mbahen ish-drejtuesit e shtetit dhe ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, padrejtësisht. Andaj, më tepër se kurrë, ndoshta në këto dekadat e fundit, ky vend ka nevojë për unitet, kjo shoqëri ka nevojë për unitet”, tha Idrizi.

I pari i Vushtrrisë tha se Kosova është e lirë falë sakrificës së dëshmorëve, por “pa mbështetjen e aleatëve tanë, ky vend nuk do të ishte i lirë dhe i pavarur”, teksa kërkoi unitet në popull.

“Ky vend ka një perspektivë dhe një të ardhme të sigurt sepse ka dëshmorët e vet, ka martirët e vet, ka invalidët e vet, ka veteranët e vet. Krejt çka i nevojitet, i nevojitet edhe uniteti, i cili po na mungon, po na mungon për absurdin e vet, sepse nuk po mundemi ta gjejmë këtë unitet. Është më i lehti, është më i arsyeshmi, është i domosdoshëm për vendin dhe perspektivën tonë”, tha Idrizi.

27 vite më parë, në masakrën e Studimes mbetën të vrarë 116 civilë shqiptarë të paarmatosur. 

Të Ngjashme