Lajme

“Ik nga LDK-ja, fyeje, shaje, kritikoje, thuaj të gjitha të zezat për të”, Tahiraj: Ky është standardi për të hyrë në dhjetëshen e parë

Veprimtari i njohur i LDK-së, Saim Tahiraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur për listen e kandidiatëve për deputet të Lidhjes Demokratik të Kosovës.

Ai ka thënë se partia ka dështuar sërish të respektojë meritokracinë dhe besnikërinë e anëtarëve të saj.

Sipas tij, lista nuk përfaqëson fytyrën reale të LDK-së, por një “përzierje të çuditshme” që, sipas tij, tregon largimin e partisë nga tradita e saj politike.

Image
Veprimtari i njohur i LDK-së, Saim Tahiraj

“Renditja në listën e LDK-së dëshmoi se edhe kësaj radhe LDK dështoi ta respektojë meritokracinë dhe besnikërinë e atyre që nuk u luhatën asnjëherë në të gjitha situatat e vështira nëpër të cilat kaloi LDK-ja. Edhe kësaj radhe u respektua standardi i vendosur më herët: ik nga LDK-ja, fyeje, shaje, kritikoje, thuaj të gjitha të zezat për të, shëtit nëpër parti tjera rivale të LDK-së — dy, tri apo katër parti. Pra, nëse i praktikon këto veprime, e ke plotësuar standardin e nivelit më të lartë për të qenë në dhjetëshen e parë të listës së LDK-së.

Kjo listë nuk është fytyra reale e LDK-së, por një përzierje e çuditshme, që ndoshta i përgjigjet emërtimi “Rruga e Re”, e cila e shpërfaq fytyrën e re të kësaj LDK-je që ka kohë që ka dalë nga shtrati i saj tradicional. Kjo përzierje e çuditshme me albinizëm, sorosizëm, islamizëm radikal, servilizëm dhe pakurrizorizëm të skajshëm, do të jetë pamja shumëfytyrëshe e LDK-së aktuale”, ka thënë ai .

Tutje, Tahiri ka deklaruar se slogani “Bashkimi i të Djathtës” ka mbetur vetëm zhurmë pa rezultate konkrete.

Sipas tij, lista e LDK-së nuk pritet të jetë një sfidë serioze për kundërshtarët politikë dhe se partia vazhdon të përballet me probleme të thella të brendshme.

“Sigla e trumbetuar me pompozitet “Bashkimi i të Djathtës” mbeti vetëm zhurmë e mërzitshme, pa asnjë rezultat në praktikë. Mendoj se kjo nuk do të jetë lista e suksesit që do ta sfidojë seriozisht VV-në me Albinin në krye. Me gjithë keqqeverisjen e skajshme, mosrealizimin e shumë premtimeve, dështimin në politikën e jashtme dhe shumë dështime tjera, kjo listë e LDK-së nuk do ta sfidojë dhe rrezikojë seriozisht fitoren e VV-së. Uroj që së paku ta ulë përqindjen e fitores së VV-së.

Të gjitha këto zhvillime në LDK treguan se ende ka probleme serioze, të cilave duhet t’u qaset ndryshe për zgjidhje, e jo në këtë mënyrë siç vepruan deri më tani”, ka deklaruar Tahiraj.

Të Ngjashme