Stafi i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) realizoi edhe këtë javë një vizitë zyrtare në Shkup, me qëllim mbledhjen e materialeve arkivore që dokumentojnë dëbimin e popullsisë së Kosovës gjatë viteve 1998–1999, si dhe identifikimin e burimeve të reja për punën hulumtuese dhe dokumentuese të Institutit.
Gjatë vizitës, stafi i IKKL-së zhvilloi takime në Radiotelevizionin e Maqedonisë së Veriut (RTM), me kryeredaktoren znj. Leunora Kaliqi dhe bashkëpunëtorët e saj. Me këtë rast u dorëzua kërkesa zyrtare për sigurimin e materialeve arkivore dhe u konfirmua gatishmëria për bashkëpunim institucional në sigurimin e incizimeve që dokumentojnë dëbimin e popullsisë së Kosovës.
Materiale arkivore digjitale me rëndësi të veçantë u pranuan edhe nga znj. Merita Çoçoli, duke pasuruar fondin dokumentues të IKKL-së me dëshmi autentike për përvojën e të dëbuarve gjatë luftës.
Në Organizatën Humanitare “Kalliri i Mirësisë”, kryetari Nexhat Lika prezantoi kontributin e organizatës në trajtimin, strehimin dhe furnizimin me ushqim të të dëbuarve nga Kosova. U nënshkrua procesverbali për dorëzimin e materialeve, ndërsa organizata u zotua për përgatitjen dhe skanimin e tyre.
Takim u zhvillua edhe me mjekun z. Eljasa Asipi, i cili ndau informacione dhe kontakte të reja relevante dhe shprehu gatishmërinë për të dokumentuar përmes një interviste përvojën e tij në trajtimin e të dëbuarve gjatë vitit 1999.
Vizita përfundoi me takimin me Besnik Rameti nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore në Shkup, i cili u shpreh i gatshëm të ofrojë materiale dhe të ndihmojë në identifikimin e burimeve të tjera që dokumentojnë luftën në Kosovë dhe dëbimin e popullsisë civile.
Kjo vizitë përbën një hap të rëndësishëm në zgjerimin e fondit arkivor të IKKL-së dhe në ruajtjen e dëshmive autentike për krimet dhe pasojat e luftës në Kosovë.
IKKL shpreh mirënjohje për të gjithë bashkëpunëtorët dhe institucionet për gatishmërinë e tyre për të kontribuar në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe dokumentimin e së vërtetës historike.
